Banorët e fshatit Imësht në Bashkinë Lushnje po përballen me një situatë alarmante mjedisore përgjatë lumit Seman. Zona është mbushur me mbeturina të cilat jo vetëm ndotin mjedisin, por edhe përbëjnë rrezik për shëndetin e banorëve.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura, bashkia Lushnje nuk ka marrë masa për pastrimin e zonës.Prej kohësh, jetesa në këtë zonë është bërë e vështirë. Era e rëndë dhe ndotja janë bërë të padurueshme, duke e bërë të pamundur qëndrimin në shtëpi, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët.
Banorët ndihen të braktisur nga institucionet dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin e territorit. Apeli i tyre i drejtohet kryetares së Bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa, e cila sipas tyre nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për të zgjidhur situatën.
"Përshëndetje JOQ, kjo është gjendja buzë lumit Seman në fshatin Imësht, Bashkia Lushnje. Askush nuk merr asnjë masë për të pastruar plehrat. Nuk mund të qëndrojmë dot në shtëpitë tona", shkruan banori i fshatit Imësht në Bashkinë Lushnje duke kërkuar veprim të menjëhershëm për të ndaluar këtë katastrofë mjedisore që po u rrezikon shëndetin dhe jetesën.