Ushtria amerikane sulmon dhe shkatërron anijen venezueliane, Trump: Ishte plot me drogë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.09.2025, 00:45

Ushtria amerikane ka kryer një sulm të drejtpërdrejtë ndaj një anijeje që transportonte drogë nga Venezuela në Karaibe, bëjnë me dije zyrtarët. Ky është operacioni i parë i raportuar pas vendosjes së flotës ushtarake amerikane në rajon, në kuadër të strategjisë së administratës Trump për të shtuar presionin mbi kartelet e drogës.

Presidenti Donald Trump e konfirmoi ngjarjen nga Shtëpia e Bardhë, ku tha:

“Pak minuta më parë shkatërruam një anije që mbante drogë. Kishte një sasi të madhe lëndësh narkotike brenda. Ka edhe të tjera, sepse për shumë vite po vijnë tonelata droge në vendin tonë. Këto vinin nga Venezuela,” – tha Trump, duke shtuar se Pentagon-i do të japë së shpejti më shumë detaje.

Një zyrtar i mbrojtjes konfirmoi gjithashtu për median se bëhej fjalë për një “sulm preciz ndaj një anijeje të kontrolluar nga një organizatë të shpallur si narko-terroriste”, por nuk dha hollësi mbi mënyrën e ekzekutimit të goditjes apo për personat që ndodheshin në bord.

Nga ana e saj, Ministria e Komunikimit në Venezuelë nuk ka reaguar ende.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shkroi në rrjetin social X se anija ishte nisur nga Venezuela dhe u godit në Karaibet jugore, duke e cilësuar ndërhyrjen si një “sulm vdekjeprurës”. Megjithatë, administrata Trump nuk ka konfirmuar nëse pati viktima.

Aktualisht, SHBA ka vendosur në rajon 7 anije luftarake dhe një nëndetëse bërthamore, me mbi 4,500 marinsa dhe marinarë. Forcat përfshijnë edhe mjete të fuqishme si USS San Antonio, USS Iwo Jima dhe USS Fort Lauderdale, të afta të mbajnë helikopterë apo të lëshojnë raketa “Tomahawk”.

Gjithashtu, sipas zyrtarëve amerikanë, avionët spiunë P-8 kanë qenë duke fluturuar mbi ujërat ndërkombëtare për të mbledhur të dhëna inteligjence, si pjesë e këtij operacioni të zgjeruar kundër trafikimit të drogës.

Ky veprim shihet si një hap i parë konkret i strategjisë së re amerikane në Karaibe, ndërkohë që priten operacione të tjera të ngjashme në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit