Shpeshherë dëgjojmë denoncime për mjekë të korruptuar apo të akuzuar për ryshfet. Por kjo nuk do të thotë se çdo bluzë e bardhë duhet njollosur, sepse ka ende profesionistë të ndershëm që i shërbejnë pacientëve me përkushtim e humanizëm.
Një shembull i tillë vjen nga një qytetare, e cila vendosi të ndajë publikisht falënderimin e saj për mjekun që e ka trajtuar.
Ajo shkruan:
"Mirëmbrema JOQ! Shoh që shpesh flitet për mjekë të korruptuar apo që nuk shërbejnë nëse nuk i paguan, po flas për spitalet shtetërore! Unë personalisht kam një historik të gjatë me spitalet pasi kam kryer shumë ndërhyrje dhe e fundit ishte para pak ditësh te spitali “Shefqet Ndroqi” (Sanatoriumi). Bëra një ndërhyrje në mushkëri me doktor Ilir Skendulin. Dua ta falenderoj publikisht doktorin për përkushtimin, korrektesën dhe mënyrën e trajtimit të pacientit! Por dua të them që as nuk kërkoi lek, as nuk më trajtoi ndryshe nga dita e parë që u shtrova dhe deri ditën e fundit që u largova, gjithmonë me të njëjtën buzëqeshje dhe sjellje ndaj meje! Jo vetëm doktori, por i gjithë stafi ishin tepër njerëzor dhe human në sjellje ndaj pacientëve, si Katerina dhe gjithë kolegët e tjerë që nuk ua mbaj mend me emra, por staf i mrekullueshëm! Dua të them: jo të gjithë mjekët janë të korruptuar dhe duhet t’i vlerësojmë në maksimum mjekë si Ilir Skenduli! Mirënjohje dhe respekt pa fund për mjekun Ilir Skenduli!"
Pacientja thekson se operacioni i fundit që kreu ishte i 11-ti në jetën e saj, por për herë të parë në këtë spital. Ajo shton se, ndryshe nga perceptimi i zakonshëm se mjekët në spitalet publike kërkojnë para, në rastin e saj nuk ka ndodhur asgjë e tillë. Përkundrazi, doktor Skenduli dhe stafi e kanë trajtuar me profesionalizëm nga dita e parë deri ditën e daljes.
Mesazhi i saj është i qartë: të mos i fusim të gjithë mjekët në një thes, sepse ka ende profesionistë që e bëjnë punën me ndërgjegje dhe humanizëm.