Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë me drejtor Genci Hyskën ka shpallur fitues të një tenderi për blerjen e barnave hormonale, kompaninë Medicamenta shpk në pronësi të Ilir Shehut.
Tenderi u zhvillua si një procedurë e hapur e thjeshtuar, e cila zakonisht kërkon pjesëmarrjen e disa operatorëve ekonomikë për të siguruar konkurrencë dhe transparencë. Në këtë rast, mungesa e konkurrentëve ka bërë që tenderi të klasifikohet me "Flamur të Kuq".
Medicamenta shpk ka marrë kontrata me institucione publike me vlerë miliarda lekë.
Ilir Shehu është përfshirë në hetime lidhur me veprimtarinë e tij në sektorin e shëndetësisë. Një nga rastet më të njohura është ai i përfshirjes së tij në furnizimin e barnave për pacientë të caktuar, duke përfshirë kërkesa për medikamente të shtrenjta si Doksorubicina, të cilat janë përdorur për trajtime të kimioterapisë. Ky rast ka ngritur shqetësime për mundësinë e abuzimeve dhe përfitimeve të paligjshme nga furnizimi me barna.

Strategjia e oligarkut të Shëndetësisë Ilir Shehut është sasia në tenderat e fituar me vlerë të vogël. Vetëm si operator i vetëm ekonomik ai ka përfituar nga 36 insitucione shtetërore në sektorin e shëndetësisë 644 tendera me vlerë mbi 12 MILIARD LEKË, pjesën më të madhe të tyre të përfituara në shkelje të ligjit i favorizuar nga titullarët e këtij sektori.
