Një histori e trishtë dhe e dhimbshme vjen nga një familje shqiptare që prej më shumë se 30 vitesh kërkon të afërmin e tyre. Agron Çejku ka bërë apel në redaksinë tonë për të gjetur dajën e tij, Hasan Matraxhi, i cili është zhdukur që prej vitit të largët 1991.
Hasani ka lindur më 1 korrik 1972 në Çajë të Kukësit dhe banonte në Katund të Ri të Durrësit. Në shtator të vitit 1991, ai u nis nga Katundi i Ri së bashku me kushëririn e tij, Korab Matraxhi, drejt Sarandës. Në Sarandë ata janë njohur rastësisht me një person të quajtur Shkëlqim Sabedini dhe kanë hipur së bashku në një gomone nga Ksamil drejt Korfuzit.
Informacioni i fundit për Hasanin vjen nga muaji prill i vitit 1992, kur të njohur të familjes pretendojnë se e kanë parë në një stacion treni në Athinë, Greqi. Që prej asaj dite, asnjë gjurmë tjetër nuk është gjetur.
Sot, pas 33 vitesh, familja ende nuk e ka humbur shpresën. “Shpresa vdes e fundit”, thotë nipi i tij Agroni, i cili vazhdon të kërkojë çdo ditë një dritë informacioni për fatin e dajës së tij.
Kushdo që mund të ketë informacion të vlefshëm për vendndodhjen ose fatin e Hasan Matraxhi, është i lutur të kontaktojë në këtë numër: +447463185883