Turizmi në Shqipëri duket se ka pësuar rënie gjatë këtij viti, gjë që është reflektuar edhe në disa raporte të publikuara kohët e fundit. Një nga faktorët kryesorë që ndikon negativisht është cilësia e shërbimit në disa biznese, ku sjellja jo profesionale i largon pushuesit.
Një rast i tillë është denoncuar së fundmi në Sarandë, në hotelin “Valë”. Disa të rinj që kishin vendosur të uleshin në kafenenë e hotelit u përballën me një situatë të pazakontë. Vetëm 30 minuta pasi kishin bërë porosinë, kamarieri iu afrua dhe u kërkoi të largoheshin, me arsyetimin se duhej të uleshin klientë të tjerë.
“Porositëm, ndenjëm 30 minuta dhe erdhi kamarieri duke na thënë: ‘Çuna, duhet të çoheni’. I pyeta pse, dhe ai tha: ‘Ashtu kam urdhër nga shefi, sepse është fundi i sezonit dhe duhet të kapim ndonjë lekë’,” rrëfen një prej denoncuesve.
Për pushuesit kjo ishte një përvojë e pakëndshme, ndaj e paralajmëruan kamarierin se do të linin një “review” negative dhe do ta bënin publik rastin nëpërmjet JOQ Albania. Edhe pse më pas kontaktuan hotelin në rrjete sociale, nuk morën asnjë përgjigje.
“Mendoj se kjo është një vrasje që i bëhet turizmit jug,” shton më tej denoncuesi.
Ky rast tregon edhe një herë se mungesa e përkushtimit në shërbim jo vetëm që prish pushimet e turistëve, por gjithashtu dëmton imazhin e destinacioneve shqiptare, duke i bërë pushuesit të mos kthehen më.
Denoncimi i plotë:
Përshëndetje JOQ, jam në Sarandë dhe ndodhi një rast që desha ta ndaj me ju. Jo rastësisht këtë vit ka rënë turizmi dhe tani po e kuptoj pse, sepse jam vetë këtu. Ishim në shëtitore dhe u ulëm në tarracën e një lokali “Lokal Valë”, është një hotel dhe poshtë me kafe dhe ëmbëlsira.
Pasi porositëm dhe qëndruam 30 minuta, erdhi kamarieri dhe na tha: Çuna duhet të çoheni prej këtu. I thamë pse? Tha: “Ashtu kam urdhër nga shefi të mos lë më shumë se 30 minuta sepse është fundi i sezonit dhe na ka dhënë urdhër të kapim ndonjë lekë.
Thashë a nuk është turp kjo që e bëni dhe jo rastësisht i dëboni në këtë mënyrë të gjithë turistët mos vijnë më në jug. Ai u arsyetua se jam vetëm kamarier dhe zbatoj urdhrat.
Thashë ka mënyra më kulturore dhe nëse do që të kapësh ndonjë lek më shumë, vjen prapë te tavolina dhe më pyet çfarë do porosisni, dhe pastaj vendosim vetë nëse do qëndrojmë ose jo.
Mendoj se kjo është një vrasje që i bëhet turizmit jug. U tregova që rastin do e paraqes në JOQ, po as falje nuk kërkuan.
