Dhjetëra jetë të humbura në lule të rinisë, makina të deformuara dhe plagë që nuk do të shërohen kurrë.
Kjo është panorama e trishtë e aksidenteve me pasojë vdekje në vendin tonë. Edhe pse flitet për një ulje të numrit të ngjarjeve, numri i viktimave është rritur ndjeshëm. Nga janari deri në gusht të këtij viti, dhjetëra jetë të reja janë shuar, duke tronditur mbarë vendin.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë, deri në fund të gushtit kanë humbur jetën 138 persona si pasojë e aksidenteve rrugore. Shkaqet kryesore mbeten të njëjtat: shpejtësia tej normave të lejuara, gjendja e rrugëve, parakalimi i gabuar, si edhe përdorimi i telefonit dhe alkoolit gjatë drejtimit të mjetit.
Ndër rastet më tragjike që kanë lënë gjurmë të thella është ai i Fushë-Prezës, më 20 mars, ku për pasojë të shpejtësisë së lartë dhe mungesës së ndriçimit, ndodhi një përplasje fatale që mori jetën e 4 të rinjve.
Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi më 29 korrik, në aksin Palasë–Dhërmi, ku “Benzi” me drejtues 36-vjeçarin Martin Konici humbi kontrollin dhe u përplas me barrierat e rrugës. Shpejtësia e frikshme dhe alkooli e bënë aksidentin fatal, një fëmijë vetëm 9-vjeç humbi jetën në vend.
Gjithashtu, nuk mund të harrohet rasti i trishtë i dy motrave Dhimaku nga Delvina, të cilat humbën jetën ndërsa shkonin në punë për të ndihmuar vëllain e tyre që vuante nga leucemia. Një shofer i dehur, Kevin Norra, me një parakalim të gabuar, ua këputi në mes jetën dhe ëndrrat.
138 jetë të humbura në vetëm 8 muaj nuk janë thjesht shifra. Janë baballarë, nëna, fëmijë, motra e vëllezër që nuk do të kthehen më. Çdo shofer që nget me shpejtësi, pi alkool apo merr telefonin në timon, duhet të kuptojë se nuk po rrezikon vetëm veten, por po luan me jetën e dikujt tjetër.
Rruga nuk është vend për garë. Është vendi ku secili prej nesh pret të arrijë i gjallë në shtëpi. Nëse nuk e vlerësojmë jetën tonë, të paktën të mësojmë ta ruajmë atë të tjerëve. Sepse një sekondë pakujdesi mund të kthehet në një përjetësi dhimbjeje për dikë tjetër.