Një 30-vjeçar shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë italiane në Città della Pieve, pasi akuzohet për një sërë veprash të rënda penale.
Sipas mediave italiane, ai dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy vajza, njëra prej të cilave vetëm 16-vjeçe, ndërsa tjetra 29-vjeçe. Përveç kësaj, akuzat ndaj tij përfshijnë edhe shpërndarje të lëndëve narkotike si dhe rezistencë ndaj forcave të rendit.
Hetimet nisën pasi në komunitet nisën të qarkullonin dyshime për sjelljet e tij. Pas mbledhjes së provave dhe dëshmive, karabinierët identifikuan dy viktimat, të cilat konfirmuan se ishin ngacmuar në episode të ndryshme.
E mitura 16-vjeçare ka rrëfyer se shqiptari e kishte kapur me forcë, e kishte prekur në pjesë intime dhe kishte tentuar ta puthte, ndërsa 29-vjeçarja ka treguar se ishte kapur prej qafe dhe ishte puthur me dhunë. Një prej ngjarjeve, sipas viktimave, ishte shoqëruar edhe me përdorim të kokainës.
Arrestimi ndodhi pasi karabinierët tentuan ta ndalonin për një kontroll, por ai reagoi dhunshëm, duke u përleshur me ta. Pas rezistencës së fortë, u neutralizua dhe u shoqërua në komisariat.
Gjykata e Perugias, duke marrë parasysh rrezikun e përsëritjes së veprave dhe rrezikshmërinë e lartë të tij, vendosi masën e sigurisë arrest me burg.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të verifikuar nëse ekzistojnë edhe viktima të tjera apo raste të ngjashme që nuk janë denoncuar deri më tani.