Borxhi zgjidhja e vetme: 1 në 5 familje shqiptare merr hua për të jetuar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 02.09.2025, 17:47

Një në pesë familje shqiptare merr borxh për të përballuar jetesën.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, në sondazhin “Gjendja financiare dhe huamarrja e familjeve në Shqipëri”, rezulton se 24 për qind e familjeve shqiptare kanë marrë të paktën një hua gjatë vitit të kaluar. Edhe pse kjo shifër ka shënuar një rënie të lehtë në krahasim me vitin 2023, fenomeni mbetet shqetësues.

Nga të dhënat rezulton se 35 për qind e borxheve janë marrë për konsum ditor, përfshirë ushqimin dhe nevojat bazë. Më pas vijnë shpenzimet për banesat, investimet në biznes dhe studimet.

Ekspertët e ekonomisë thonë se të ardhurat e familjeve janë shumë të ulëta dhe ato shkojnë për ushqim, por kur çmimet sa vijnë e rriten, shqiptarët detyrohen të marrin borxh edhe për të ngrënë.

“Të ardhurat janë aq të ulëta sa shumica e tyre shkojnë për ushqim. Ndërkohë, çmimet janë rritur ndjeshëm, dhe shqiptarët detyrohen të marrin borxhe edhe për të ngrënë".

Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth gjysma e huave janë marrë nga institucionet financiare si bankat dhe mikrokreditë, ndërsa pjesa tjetër është marrë nga të afërmit apo miqtë.

Vetë qytetarët thonë se jetesa është shumë e vështirë dhe borxhi mbetet zgjidhje e vetme.

“Shumë e vështirë është jeta këtu. Nuk ke ku përplasesh, e detyrohesh të marrësh borxh. Ja shiko Kosovën, Albini po u jep nga 100 euro, ne nga 50. Ata dje kanë dalë nga lufta.”

Studimi vëren se varfëria dhe huamarrja janë të përhapura njësoj në zonat urbane dhe rurale. Edhe në Tiranë, qyteti që shpesh perceptohet si më i zhvilluari, një numër i konsiderueshëm familjesh jetojnë me borxh për të përballuar shpenzimet bazë.

“Varfëria në vend është e përhapur thuajse në mënyrë uniforme. Ndaj edhe në kryeqytet kemi familje që marrin borxhe për të përballuar jetesën.”

Raporti i Avokatit të Popullit tregon se një në tre shqiptarë ka jetuar në kushte të vështira ekonomike gjatë vitit të kaluar. Arsyeja kryesore është niveli i ulët i ndihmës ekonomike, pagat modeste dhe buxhetet e kufizuara të bashkive për mbrojtje sociale.

Ndërkohë që familjet përballen me pasiguri ekonomike, institucione të ndryshme paralajmërojnë se pa reforma strukturore dhe rritje reale të të ardhurave, varfëria e fshehur do të thellohet edhe më tej.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit