Një tjetër denoncim shqetësues ka mbërritur pranë redaksisë sonë, kësaj here nga qyteti i Shkodrës. Banorët e lagjes Gjuhadol, shumë pranë pedonales, shprehen të revoltuar për një situatë absurde që, sipas tyre, po u vështirëson jetën e përditshme.
Në pamjet e dërguara nga një qytetare shihet qartë se bar-kafetë kanë vendosur tavolina dhe karrige në mes të rrugicës, duke e bllokuar atë plotësisht. Si pasojë banorët që jetojnë aty e kanë thuajse të pamundur kalimin.
Por problematika nuk mbaron me kaq. Sipas denoncueses, në këtë zonë janë hequr edhe koshat e mbeturinave, duke bërë që banorët të mbeten pa asnjë vend ku të hedhin mbetjet e tyre të përditshme. “Përveç se na kanë zënë rrugën, na kanë hequr edhe koshat. Nuk kemi ku të hedhim plehrat,” shprehen banorët.
të gjithë banorët e Gjuhadolit apelojnë për ndërhyrjen e menjëhershme të Bashkisë Shkodër, e cila, sipas tyre, deri tani nuk ka marrë asnjë masë përballë kësaj situate përkundrazi në vend të koshave ka vendosur një tabelë ku shkruhet: “Ju lutem mos hidhni mbeturina!” dhe nëse qytetarët e Gjuhadolit vendosin të bëjnë ndonjë gjest protestues si të lënë mbeturina aty menjëherë gjobiten. Duket se Bashkia Shkodër ka më të rëndësishme lokalet e Gjuhadolit sasa të sigurojë kushtet minimale për banorët.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje JOQ! Dua të shpreh një shqetësim shumë serioz që po ndodh në qytetin e Shkodrës, saktësisht në Gjuhadol, shumë pranë pedonales. Siç shihet edhe në video, një bar-kafe ka vendosur tavolina dhe karrige duke bllokuar rrugicën ku banojnë shumë qytetarë. Përveç kësaj, janë hequr edhe koshat e mbeturinave dhe kjo zonë ka mbetur pa një vend ku qytetarët mund t’i hedhin ato. Ju lutem merreni parasysh këtë problem, pasi edhe Bashkia Shkodër deri më tani nuk ka ndërhyrë.