Rreth dy javë më parë, JOQ Albania publikoi një skandal që po ndodh me keqtrajtimin e kafshëve në qytetin e Gjirokastrës ku qen dhe mace humbën jetën si pasojë e helmimit.
Së fundmi aktivisti për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve Emin Kokalari që jeton në Gjirokastër, ka dhënë një intervistë për TVA News, ku ka treguar më në hollësi atë që po ndodh në jug të vendit.
Emini thotë se personat që kanë kryer këto krime janë të fokusuar me pamje, dhe sipas dyshimeve janë urdhëruar nga institucioni i bashkisë.
“Së fundmi janë kryer disa veprime kriminale nga persona të paidentifikuar, të cilët ne dyshojmë se janë të Bashkisë Gjirokastër. Këtu është bërë normale kryerja e helmimeve ndaj kafshëve, duke marrë parasysh që prokuroria, policia apo dhe institucioni i bashkisë vetë nuk merr masa ligjore në mes të qytetit dhe në mes të vendit.”
Ai tregon më tej se është bërë një kallëzim penal në prokurori, por deri më tani nuk kanë marrë një përgjigje nëse hetimi për këtë çështje ka nisur, apo ka mbetur pezull për shkak të mungesës së provave.
“Është bërë një kallëzim penal në prokurori! Nuk duhet bërë vetëm identifikimi i personave që kryejnë helmimet, por duhet bërë një kontroll te farmacitë bujqësore që mund të tregtojnë helmet. Për momentin nuk kemi asnjë përgjigje për hapje hetimesh apo mbyllje për shkak të mungesës së provave. Në prokurori kemi dërguar materiale me video dhe audio, të cilat faktojnë se helmimet po kryhen realisht në qytetin tonë.”
Më tej aktivisti i bën thirrje publike gjykatës, që të zbatojnë ligjin dhe dispozitat që përcakton kodi penal, për personat që kryejnë helmimin e kafshëve.
“Këta persona po shkelin në mënyrë flagrante ligjin. Kjo është vepër penale që dënohet me burg. Prokuroria të bëjë hetimet se ne si qytetarë kemi bërë sa kemi mundur për të kapur keqbërësit në flagrancë. Thirrjen e kam për gjykatën, keqbërësit janë me pamje, dua të zbatohet ligji që është i përcaktuar qartë në Kodin Penal të Shqipërisë, por nuk po merren masa."