Qytetari: Kujdes, hakerat premtojnë 350 litra karburant falas për të vjedhur të dhënat bankare

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 02.09.2025, 12:59

Një skemë e re mashtrimi po qarkullon në rrjetet sociale dhe mesazhe të drejtpërdrejta, ku qytetarëve u premtohen 350 litra karburant falas nga kompania “Kastrati”, nëse janë mbi 35 vjeç. Faqe të rreme me logo dhe emër të ngjashëm me kompaninë e njohur pretendojnë se bëhet fjalë për një fushatë dhuratash, por në realitet kjo është një tentativë për të vjedhur të dhënat personale dhe bankare të qytetarëve.

Për të "përfituar" karburantin, u kërkohet përdoruesve të fusin të dhënat e kartës bankare dhe të kryejnë një pagesë simbolike prej 10 dollarësh. Kjo është një metodë e zakonshme e mashtruesve online për të hyrë në llogaritë bankare të viktimave. Përveç kësaj skeme, janë raportuar edhe faqe të tjera të ngjashme që keqpërdorin emrat e kompanive të njohura për të fituar besimin e qytetarëve.

"Një tjetër faqe mashtruese, demek nëse je 35 vjeç, ke fituar 350 litra karburant falas nga Kastrati, gjë që nuk është e vërtetë. Përveç kësaj, më dolën edhe dy faqe të tjera me emra kompanish të ndryshme që s’ka nevojë t’i përmend. Që të merrje 350 litra falas, të kërkonin të fusje të dhënat e kartës bankare, dhe madje të bëje një transfertë prej 10$. Që të kuptohemi, Këta hakerë përfitojnë nga emri i kompanisë. Jam i sigurt 100% që ky mashtrim nuk ka asnjë lidhje me kompanitë në fjalë. S’e ka humbur mendjen Kastrati të japë 350 litra falas", thuhet në denoncimin e qytetarit.

Kjo skemë është mashtruese dhe nuk ka asnjë lidhje me Kastratin pasi nuk po zhvillon asnjë fushatë promocionale të ngjashme. Qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj ofertave që duken shumë të mira për të qenë të vërteta dhe të mos ndajnë kurrë të dhëna bankare në faqe të dyshimta apo të paautorizuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit