Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ka njoftuar parlamentin britanik se Qeveria do të pezullojë përkohësisht aplikimet e reja për bashkimin familjar të refugjatëve, deri në hyrjen në fuqi të reformave të rëndësishme që pritet të zbatohet në pranverën e vitit të ardhshëm.
Cooper argumentoi se rregullat ekzistuese të bashkimit familjar janë financiare të paqëndrueshme dhe të padrejta, pasi refugjatët tani aplikojnë për ribashkim brenda javësh, në vend të viteve si më parë. Kjo ka krijuar një ngarkesë të madhe për shërbimet sociale dhe sistemin e strehimit. Ajo shtoi se tani refugjatët duhet të plotësojnë kushtet e Shtojcës FM të Rregullave të Imigracionit, të njëjtat që vlejnë për qytetarët britanikë dhe migrantët e tjerë.
Sekretarja e Brendshme theksoi se përpara pandemisë, refugjatët aplikonin mesatarisht pas një ose dy vjetësh nga marrja e statusit të mbrojtjes, duke pasur kohë për të stabilizuar jetën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa tani aplikimet bëhen mesatarisht brenda një muaji, duke sjellë pasoja të rënda në sistemin e mbështetjes për personat e pastrehë.
Sipas Cooper, rritja e aplikimeve nga refugjatë që kanë ardhur me gomone dhe përdorimi i bashkimit familjar nga rrjetet kriminale të kontrabandës njerëzore kanë bërë të nevojshme ndërhyrjen e Qeverisë.
Qeveria do të publikojë këtë javë ndryshimet në Rregullat e Imigracionit dhe do të konsultohet me palët e interesuara për detajet e reja të politikave të azilit dhe bashkimit familjar, me synimin për t’i implementuar ato në pranverën e ardhshme.
Ndër masa të tjera, rregullat e reja do të kërkojnë nga refugjatët të kenë të ardhura të mjaftueshme, njohuri të gjuhës angleze dhe të kenë jetuar një periudhë minimale në vend për të mundur të sjellin familjarët.
Qeveria po ashtu ka vendosur të mbyllë të gjitha hotelet që përdoren aktualisht për strehimin e azilkërkuesve deri në vitin 2029. Organizatat bamirëse si Safe Passage kanë kritikuar pezullimin, duke paralajmëruar rritjen e rrezikut që njerëzit të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar.
Që prej 13 korrikut, qytete të ndryshme të Britanisë janë përfshirë nga protesta kundër emigracionit, duke shtuar presionin mbi qeverinë për të ndryshuar politikën e imigracionit.