Shqipëria po përjeton një transformim të vrullshëm nga një destinacion i fshehur natyror në një epiqendër luksi për turistët ndërkombëtarë, sipas një artikulli të Politico. Me më shumë se 11.7 milionë vizitorë në vitin 2024 dhe shifra që pritet të kapërcejnë 15 milionë në vitin aktual, vendi me vetëm 2.7 milionë banorë është vënë nën presionin e një industrie turizmi në lulëzim, e cila kontribuon në mënyrë të ndjeshme në ekonominë kombëtare.
Por ky sukses ka një kosto ndërtimet pa kriter dhe zhdukja e hapësirave publike kanë shqetësuar banorët vendas dhe ambientalistët. Një nga rastet simbolike është plazhi i Jalës, i cili dhjetë vjet më parë frekuentohej falas nga vendasit për kamping, ndërsa sot është kthyer në një shtrat ndërtimesh luksoze me shezllone që kushtojnë 10 euro dhe akses të kufizuar për vendasit. Ndërkohë, qeveria ka nxitur investime të mëdha në resorte me pesë yje duke përjashtuar për 10 vjet nga taksat korporatat ndërkombëtare, si Marriott dhe Radisson.
Kjo politikë ka nxitur zhvillime të vrullshme, por ka shkaktuar edhe reagime për mungesë të planifikimit urban dhe dëmtime të natyrës. Rritja e çmimeve, mungesa e infrastrukturës për menaxhimin e mbetjeve dhe zhvendosja e komuniteteve lokale nga zonat bregdetare janë disa nga pasojat negative që përmenden në artikullin në fjalë.