Një qytetar shqiptar që jeton prej vitesh në Gjermani ka ndarë me JOQ një denoncim për gjendjen skandaloze të higjienës pranë rrugës dytësore Burizane – Fushë Krujë – Rinas. Teksa po udhëtonte drejt aeroportit, ai është përballur me një pamje të turpshme: kazanë plehrash të tejmbushur, mbeturina të shpërndara gjithandej dhe erë e padurueshme që e bënte të pamundur kalimin normal në këtë zonë.
Qytetari shprehet i zhgënjyer që një rrugë kaq e frekuentuar nga shqiptarë e turistë paraqet këtë realitet, duke e krahasuar me Gjermaninë, ku sipas tij “edhe pluhuri i trotuarit pastrohet me makineri të posaçme”. Ai pyet me ironi sesi qeveria flet për integrim në Bashkimin Europian, ndërkohë që vendi vuan nga mungesa e menaxhimit më bazik të mbeturinave.
Në mesazhin e tij, qytetari thotë se kjo papërgjegjësi e pushtetit e bën të pamundur që dikush të ndihet mirë në vendin e vet, ndërsa apelon për veprime konkrete e jo propagandë boshe.
Më poshtë mesazhi i plotë i qytetarit:
"Pershendetje
Sapo po udhëtoja drejt aeroportit, duke kaluar nga rruga dytësore Burizane – Fushë Krujë – Rinas, u përballa me këtë pamje të turpshme: një kazan plehrash i tejmbushur, me mbeturina të hedhura gjithandej, erë e padurueshme dhe rrugë të kthyer në gurore. Një realitet që fatkeqësisht e kam parë shpesh gjatë pushimeve të mia në Shqipëri.
Si shqiptar që jetoj në Gjermani, më dhemb zemra kur shoh kontrastin: atje ku edhe pluhuri i trotuarit pastrohet me makineri të posaçme, ndërsa këtu, plehrat dergjen rrugëve pa asnjë kujdes.
Edi Rama fton njerëzit të vijnë në Shqipëri, flet për ndryshim dhe për integrim në Bashkimin Europian, por pyes: A kështu do të hyjmë në Europë? Me kazanë që shpërthejnë nga mbeturinat, me rrugë që kundërmojnë erë dhe me mungesë totale menaxhimi të higjienës?
Kjo nuk është pamje e një vendi që pretendon të zhvillohet dhe të jetë pjesë e Europës. Është turp dhe zhgënjim për çdo qytetar e çdo turist që kalon këtu.
Në këtë moment kuptova diçka të hidhur: duhet të iki sa më shpejt, sepse kjo papërgjegjësi e pushtetit e bën të pamundur që dikush të ndjehet mirë në vendin e vet.
Mjaft me fjalë dhe propagandë! Filloni nga gjërat më bazike: pastrojeni vendin, menaxhoni mbeturinat, tregoni respekt për qytetarët dhe vizitorët. Vetëm atëherë mund të flasim për integrim dhe për një Shqipëri që po ndryshon."