Një ngjarje e rëndë ndodhi para pak ditësh në kryeqytet, ku një sipërmarrës i huaj, Christian, i cili së fundmi ka ardhur në Shqipëri për të hapur një restorant, u qëllua me thikë në stomak nga dy të rinj, përpara banesës së tij. Fatmirësisht, ai është jashtë rrezikut për jetën dhe ka dalë tashmë me një mesazh publik frymëzues.
Pavarësisht traumës që ka kaluar, Christian ka zgjedhur të flasë jo për hakmarrje, por për shpresë dhe ndryshim. Për redaksinë tonë, ai shprehet mirënjohës për mikpritjen e shqiptarëve dhe nënvizon se sulmi nuk e ka zbehur besimin e tij te Shqipëria dhe e ardhmja e saj.
Christian-i tregon se ndonëse ai nuk është vetë shqiptar, fëmijët e tij do të jenë, dhe kjo është arsyeja pse ndjen një lidhje të veçantë me vendin. Ai apelon për bashkëpunim me qeverinë, sektorin privat dhe qytetarët, për të krijuar alternativa reale për të rinjtë, sidomos në fushën e turizmit dhe mikpritjes.
Në fund të mesazhit të tij, Christian shpreson që edhe vetë autorët e sulmit ta shohin këtë video dhe të rimendojnë zgjedhjet e tyre në jetë. Ky mesazh, ndonëse i lindur nga një ngjarje e rëndë, vjen si një thirrje për reflektim, për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt, më të drejtë dhe më të mirë për të gjithë.
MESAZHI I SIPËRMARRËSIT AMERIKAN:
"Përshëndetje të gjithëve, unë jam Christian. Së fundmi kam ardhur në Shqipëri për të hapur restorantin tim dhe jam shumë mirënjohës për mënyrën si më kanë trajtuar dhe pritur shqiptarët. Fatkeqësisht, arsyeja pse po bëj këtë video është sepse para pak kohësh u qëllova me thikë në stomak, përpara shtëpisë time, nga dy të rinj, jo më të mëdhenj se 17 vjeç. Tani jam mirë, por e dini, kjo nuk ka të bëjë me mua. Dua t’i drejtohem të rinjve: Dhuna nuk është rruga. Krimi nuk është rruga. Shqipëria ka kaq shumë potencial, sidomos në turizëm. Ky vend mund të ofrojë vende pune, mundësi dhe shpresë, nëse ne ndërtojmë së bashku. Mund të mos jem shqiptar, por fëmijët e mi do të jenë. Ndoshta kjo është arsyeja pse më intereson kaq shumë. Unë jam gati të ndihmoj në çfarëdo mënyre që mundem, sidomos duke krijuar mundësi në fushën time të turizmit dhe mikpritjes, që ndoshta të rinjtë të mos ndihen sikur duhet të zgjedhin krimin ose dhunën. Dua që ata të ndjejnë se ka një rrugë tjetër. Ka një rrugë më të mirë, prandaj po i shtrihem qeverisë, njerëzve, sektorit privat, në çdo mënyrë që mund të ndihmoj për të krijuar mundësi për këta të rinj, unë jam këtu për të ndihmuar. Shpresoj që këta djem të shohin këtë video dhe të rimendojnë zgjedhjet e jetës së tyre. Sepse ka një rrugë më të mirë. Faleminderit Shqipëri, dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve", shprehet Christian-i për redaksinë tonë.