Një aksident i rëndë në autostradën Vlorë–Levan ka përfunduar tragjikisht, duke i marrë jetën dy qytetarëve shqiptarë pas përplasjes së shkaktuar nga një turiste italiane.
Ngjarja ndodhi mesditën e së hënës pranë fshatit Panaja. Një automjet tip “Dacia” me targa italiane, i drejtuar nga 28-vjeçarja Angela Tanzillo, ku ndodhej edhe një shtetase tjetër e huaj, goditi nga pas një kamionçinë me targa shqiptare. Përplasja ishte fatale: kamionçina humbi kontrollin, u përplas me barrierat mbrojtëse dhe më pas u përmbys.
Shoferi i kamionçinës, 62-vjeçari Alfred Hasani, ndërroi jetë në vend, ndërsa pasagjeri i tij, Artan Muho, mbeti i plagosur rëndë. Ai u transportua në spitalin e Vlorës, ku mjekët u përpoqën ta mbanin në jetë, por rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm edhe ai humbi betejën me plagët e marra.
Zjarrfikësit u detyruan të prisnin pjesët metalike të kabinës për të nxjerrë trupin e pajetë të shoferit, ndërsa policia shoqëroi menjëherë për në komisariat turisten italiane që drejtonte mjetin.
Aksidenti shkaktoi edhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit në këtë segment të rëndësishëm rrugor, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes tragjike.