Një fatkeqësi e rëndë ka goditur Sudanin Perëndimor, ku më shumë se 1000 persona dyshohet se kanë humbur jetën pas një rrëshqitjeje masive dheu. Ngjarja ka ndodhur më 31 gusht, në një fshat të zonës së Maleve Marrah, në rajonin e Darfurit, pas disa ditësh me reshje të dendura shiu.
Lajmi u konfirmua nga Lëvizja Çlirimtare e Sudanit (SLM), e cila tha se i gjithë fshati është shkatërruar dhe vetëm një person është gjetur i gjallë. Kreu i SLM, Abdelwahid Mohamed Nour, deklaroi se situata është dramatike dhe bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare të ndihmës për të ndërhyrë në nxjerrjen e trupave dhe ofrimin e ndihmës urgjente për të mbijetuarit.
Zona ku ndodhi tragjedia kontrollohet nga forcat rebele të SLM, dhe prej muajsh aty kishin gjetur strehë banorë të zhvendosur nga lufta civile mes ushtrisë sudaneze dhe forcave paramilitare të RSF. Ata jetonin në kushte të vështira, me mungesë të theksuar ushqimi dhe ilaçesh.
Sudani vijon të jetë i zhytur në krizë humanitare që pas shpërthimit të luftës civile në prill të vitit 2023. Luftimet e përgjakshme mes ushtrisë dhe RSF kanë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe kanë detyruar mbi 11 milionë njerëz të braktisin shtëpitë e tyre.
Organizatat ndërkombëtare e konsiderojnë këtë si krizën më të rëndë humanitare të regjistruar ndonjëherë, ndërsa mbi 30 milionë sudanezë kanë nevojë urgjente për ndihmë.
