Redaksia e JOQ Albania ka marrë dhjetëra denoncime nga qytetarët për raste të përsëritura vjedhjesh në Tiranë, ku protagonistë janë djem të mitur.
Në videot e siguruara nga qytetarët, shihen të rinj që hyjnë në biznese të ndryshme duke vjedhur produkte, para dhe celularë pune. Në një rast, një adoleshent i mitur ka marrë celularin e shitores dhe paratë e turnit të kamarierit, ndërsa në një tjetër, një i ri ka hapur me forcë derën e një dyqani dhe ka grabitur para dhe mallra të ndryshme.
Dëshmitarët tregojnë se një prej tyre, vetëm 14-vjeç, dyshohet si autor i një serie vjedhjesh në kryeqytet. Për shkak të moshës së tij, ai nuk është arrestuar nga policia, duke lënë hapësirë për përsëritjen e akteve kriminale.
Qytetarët raportojnë se këta të mitur dalin të vjedhin edhe në orët e vona të natës, rreth orës 3 të mëngjesit, duke krijuar një situatë që po kthehet në tmerr për bizneset dhe banorët e Tiranës.
Sipas dëshmive në JOQ Albania, raportohet edhe për një grup të miturisht që kryejnë vjedhje bashkarisht orët e vona të natës, të cilët redaksia jonë i ka denoncuar disa javë më parë.
Kjo situatë është një kambanë alarmi për familjarët dhe të afërmit e këtyre të rinjve, të cilët duhet të marrin përgjegjësi dhe të ndërhyjnë sa nuk është vonë. Në të kundërt, rrezikohet që një brez i tërë të rritet duke u ushqyer me kriminalitet që në moshë të vogël.