Lajm i mirë nga Torino: I riu që kërkoi ndihmë gjen punë falë solidaritetit të shqiptarëve

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 01.09.2025, 23:52

Një lajm i gëzueshëm ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania. Shqiptari 34-vjeçar nga Torino, i cili vetëm dy ditë më parë kërkoi ndihmë për një vend pune, sot na ka njoftuar se falë solidaritetit dhe mbështetjes së bashkëkombësve, ka arritur të gjejë punën që aq shumë e kërkonte.

I emocionuar, ai ka përcjellë një mesazh falënderimi për të gjithë ata që i zgjatën dorën në këtë moment të vështirë të jetës për të:

“Përshendetje JOQ. Dua me gjithë zemër t’ju falenderoj për ndihmën tuaj edhe të gjithë shqiptarëve shpirtmëdhenj që minimalisht thanë fjalë të mira, inkurajuese, që u interesuan. Punë gjeta dhe sot ishte dita e parë. Dua me gjithë shpirt të falenderoj ata që më zgjatën dorën, shqiptarët e Torinos dhe më tej në Itali dhe nëpër Europë. Zoti e shtoftë mirësinë tuaj dhe jua ktheftë me begati në të dashur e familje. Faleminderit! Videon nuk kam pse t’ju kërkoj ta fshini, sepse tek e fundit është provë e dinjitetit tim si njeri. Kërkova mundësinë, që falë Zotit m’u dha.”

Kujtojmë se vetëm dy ditë më parë, ai dërgoi një video-apel prekës për ndihmë në redaksinë tonë, ku rrëfente se kishte ardhur në Itali me borxhe dhe i mashtruar nga premtimi i një pune që nuk u realizua. Prej dy muajsh ndodhej pa të ardhura dhe në kushte të vështira, ndërsa mbi supe mbante edhe shqetësimin për nënën e tij të moshuar në Shqipëri.

Ky mesazh i sotëm është një dëshmi e fuqisë së solidaritetit shqiptar kudo në botë. Në momentet më të vështira, bashkëkombësit nuk harruan të qëndrojnë pranë dhe të ndihmojnë, duke i kthyer shpresën një njeriu që kërkonte vetëm një mundësi për të ecur përpara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit