Një histori e rëndë u raportua nga redaksia jonë më 19 gusht të këtij viti ku bëhej fjalë për fatin e një të riu shqiptar në Spanjë. Tashmë autoritetet spanjolle kanë konfirmuar gjetjen e trupit të pajetë të Miklovan Danajt, shqiptarit nga Guri i Zi i Shkodrës, i zhdukur prej 11 majit.
37-vjeçari, i njohur në botën e krimit me nofkën “Keli”, konsiderohej si një nga emrat me peshë në trafikun e drogës në tregun europian. Zhdukja e tij u raportua për herë të parë në mediat shqiptare nëpërmjet redaksisë tonë, ndërsa tani mbërriti lajmi tragjik se trupi i tij i pajetë është gjetur në brigjet e Marbellës.
Burime ekskluzive të siguruara nga JOQ Albania konfirmuan se Danaj dyshohej se ishte rrëmbyer, dhunuar dhe më pas ekzekutuar, dhe trupi i tij u hodh në det.
Pak kohë pas zhdukjes, familjarët kishin marrë një mesazh kërcënues nga një person i panjohur, ku shkruhej: “Miklovani është vrarë, mos e kërkoni”. Hetuesit spanjollë kishin ndjekur pistën e trafikut të drogës, dhe të dhënat e para të çojnë drejt një hakmarrjeje brenda grupeve kriminale që kontrollojnë rrugët e furnizimit me narkotikë në këtë gadishull.
Gjetja e trupit mbyll një mister që mbajnte pezull familjen dhe të afërmit e tij për muaj me radhë, por njëkohësisht hap një tjetër: kush qëndron pas ekzekutimit të shqiptarit që kishte ngritur një perandori të vogël droge në Spanjë?