Një ngjarje e rëndë ka tronditur Korçën mbrëmjen e 31 gushtit 2025, kur një sherr mes dy grupeve personash në një lokal në zonën e parkut degjeneroi në dhunë të përgjakshme.
Autori i dyshuar i plagosjes me thikë është 54-vjeçari Dritan Pine (në foto), i cili akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë”, “Plagosje e rëndë dhe e lehtë me dashje”, “Shkatërrim prone”, “Deklarim i rremë para policisë”, “Prishje e qetësisë publike” si edhe “Prodhim, mbajtje dhe tregtim i armëve të ftohta pa leje”.
Burime nga policia bëjnë me dije se janë sekuestruar të gjitha pamjet filmike të lokalit ku shpërtheu konflikti. Fillimisht përplasja nisi me debat verbal, më pas u përshkallëzua në hedhje karrigesh e përdorim shkopash bejsbolli. Situata mori kthesë akoma më të rrezikshme kur Pine, së bashku me Ilir Shukun dhe Gersi Dervishin, dyshohet se kanë përdorur thika duke plagosur tre persona.
Të lënduarit, të moshës 31, 34 dhe 35 vjeç, u goditën respektivisht në bark, sy dhe gjoks. Fatmirësisht, sipas mjekëve, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.