Punimet pa leje të kompanisë Teodori 2003 kanë rinisur sërish duke bërë që banorët e Martaneshit të denoncojnë këtë krim mjedisor që po i bëhet zonës. Banorët denoncojnë se kjo kompani po punon pa asnjë dokument, teksa rrezikon të lërë pa ujë banorët.
Zonat që dëmtohen nga këto punime janë 4 fshatra të njësisë administrative Martanesh, pasi firma “Teodori” ka nisur punimet për devijimin të rrjedhës së Liqenit të Sopeve për tu shfrytëzuar për HEC-in e ndërtuar në njësinë administrative Zerqan.
“Teodori 2003” me aksione të ndara te Shefikat Ngjela, Faik Teodori, ALBANIA HYDRO INVESTMENTS HOLDING nuk ka as leje nga Bashkia, as leje nga baseni i ujërave të Matit dhe kryen gjithë këto veprime, duke bërë që fshatrat e tyre të mbeten pa ujë. Abuzimet janë denoncuar nga banorët, të cilët disa herë kanë dalë në protesta, pasi rrezikohen të ngelin pa ujë vaditës dhe atë të pijshëm.
Në dhjetor 2018, bashkia e Bulqizës paditi kompaninë “Teodori 2003” me pretendimin se i detyrohej 34.5 milionë lekë qira të papaguar dhe kamatëvonesa. Për një dëm prej 100 milionë lekësh të reja, Inspektorati gjobiti firmën me një gjobë prej 100 mijë lekësh, 100-fish më i vogël se dëmi i shkaktuar.
Nga punimet pa kriter është shkatërruar pylli i Krastës ku është hapur një tunel për dërgimin e ujit nga Krasta në Zerqan. E ndërsa “Teodori 2003”, sypatrembur vijon shkatërrimin e natyrës së Martaneshit dhe instancat përkatëse bëjnë sehir, banorët paralajmërojnë vetëgjygjësi. Banorët kërkojnë reagim nga bashkia Bulqizë dhe ministritë përkatëse.
THIRRJA PUBLIKE E BANORËVE TË MARTANESHIT
Në vitin 2016 subjekti "Teodori 2003 Sh.P.K" pa asnjë dokument nga Komuna Martanesh dhe as nga Ministritë përkatëse, filloi punimet për të marrë të gjitha rrjedhat e malit të Batrës bashkë me një rezervuar të vjetër ujë mbledhës që sot quhet Liqeni i Sopeve.
Të gjithë këto ujëra rrjedhin drejt Lumit Mat, dhe firma në fjalë po i kalon në rrjedhat e Drinit të Zi, pasi atje ka ndërtuar një "HEC" me dokumente nga Komuna Zerqan.
Me marrjen e këtyre ujërave thahen burimet dhe mbeten pa ujë të pijshëm, ujë vaditje dhe për bagëtinë katër fshatra të Martaneshit si fshati Mëlcu, Gjon, Qarr, Staveç.
Në vitin 2016 "Teodori 2003 Sh.P.K" ndërpreu punimet pasi populli u ngrit në protesta.
Ndërsa tani serish subjekti ka disa javë që ka nisur përsëri punimet aty ku i pati ndërprerë me parë.
Janë njoftuar të gjitha dikasteret për këtë veprim.
I bëjmë thirrje Qeverisë që të mbajë qëndrim ligjorë dhe të ndalojë këtë kontrabandë ujore që po bëhet në vendin tonë.
Martaneshi nuk është "Ukraina apo Rripi i Gazës" që kush të mundet të marrë prej saj çfarë t’i nevojitet.
Martaneshi është një krahinë patriotike në qendër të Shqipërisë.
Ju lutemi mos lini shteg për konflikte e vetëgjygjësi.
Bashkia Bulqize, kryeministri Edi Rama, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duhet të reagojnë dhe japin zgjidhje.