Një 47-vjeçar shqiptar është dënuar me 11 muaj burg për ngacmim seksual ndaj një vajze 18-vjeçare gjatë një udhëtimi me anijen që lidh ishullin e Kefalonisë me portin e Kyllinit.
Sipas raportimeve nga mediat greke, incidenti ndodhi të shtunën e kaluar në mbrëmje, në anijen e pasagjerëve që kishte nisur udhëtimin nga Sami në Kefaloni. Kapiteni i anijes njoftoi Autoritetin Portual të Kyllinit pas një ngjarjeje ku shqiptari kryente akte të pahijshme ndaj një studenteje 18-vjeçare, e cila po flinte në vendin e saj.
Veprimi i 47-vjeçarit u vërejt nga babai i vajzës dhe disa pasagjerë të tjerë. Pas raportimit, oficerët e Rojës Bregdetare morën masa dhe burri u mbikëqyr nga stafi i anijes deri në mbërritjen në portin e Kyllinit.
Menjëherë pas ankorimit, autoritetet arrestuan 47-vjeçarin dhe ngritën padi ndaj tij. Ai u paraqit para Prokurorit të Gjykatës së Rrethit Amaliada, i cili nisi procedimin penal dhe e referoi çështjen për gjykim të menjëhershëm.
Gjykimi u zhvillua më 1 shtator, ku i akuzuari u shpall fajtor dhe u dënua me 11 muaj burg. Nga ky dënim, ai do të vuajë vetëm një muaj në burg, ndërsa pjesa tjetër e dënimit u pezullua deri në shqyrtimin e ankesës së tij.