Familjet në nevojë ekonomike në Shqipëri marrin më pak mbështetje financiare nga shteti krahasuar jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe me ato të Europës.
Në vend që ndihma ekonomike për këtë kategori të rritet, ajo po tkurret vit pas viti, duke i lënë familjet më të pambrojtura përballë kostos gjithnjë e më të rëndë të jetesës.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, nga janari deri në korrik 2025 janë shpërndarë vetëm 12.8 miliardë lekë për familjet në nevojë, një rënie prej 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Gjithashtu ky është niveli më i ulët i mbështetjes shtetërore në gjashtë vitet e fundit.
Në vitin 2020, për shkak të situatës së pandemisë, fondet për këtë kategori arritën në 14.5 miliardë lekë. Por nga viti 2021 e në vijim, ndihma financiare për familjet që marrin përkrahje financiare ka ardhur në rënie të vazhdueshme.
Ndërkohë, shpenzimet e jetesës janë rritur ndjeshëm, duke thelluar pabarazinë dhe duke e bërë jetën edhe më të vështirë për shtresat më të varfra të shoqërisë.