Pas pamjeve të publikuara në JOQ ALBANIA ku disa dasmorë shfaqeshin në mes të rrugës me makinat e ndaluara dhe duke kërcyer e kënduar, Policia e Tiranës ka reaguar.
Policia thotë se ka nisur hetimet dhe ka vënë nën hetim dy persona, ndërsa ka shpallur në kërkim një të tretë, pasi më 24 gusht automjetet e tyre bllokuan qarkullimin në aksin e Unazës së Madhe gjatë një feste martesore.
Tre shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje: E.D., 36 vjeç, dhe D.M., 22 vjeçe, po procedohen në gjendje të lirë ndërsa Xh.A., 28 vjeç, është shpallur në kërkim dhe për të po punohet për kapjen e tij.
Hetimet e policisë vijojnë për identifikimin e katër personave të tjerë të përfshirë dhe për gjetjen e automjeteve të përdorura, të cilat dyshohet se janë marrë me qira. Materialet janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Njoftimi i policisë:
Penguan qarkullimin në Unazë të Madhe, pasi ndaluan automjetet e destinuara për ceremoni martesore, procedohen penalisht 2 shtetas dhe punohet për shoqërimin e personit të tretë. Vijojnë kontrolle për kapjen dhe identifikimin e drejtuesve të 4 automjeteve të tjera, të përfshirë në këtë rast. Gjithashtu, punohet për sekuestrimin e automjeteve, të cilat nga verifikimet e deritanishme rezultojnë të marra me qira.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, si rezultat i administrimit të disa pamjeve filmike të publikuara më datë 24.08.2025, në të cilat shfaqeshin disa automjete të dekoruara për ceremoni martesore, të ndaluara në Unazë të Madhe, të cilat kishin penguar qarkullimin në këtë aks, kanë mundësuar identifikimin e disa prej shtetasve të implikuar në këtë paligjshmëri. Konkretisht, u identifikuan 3 shtetas, E. D., 36 vjeç dhe D. M., 22 vjeçe, për të cilët nisi procedimi penal në gjendje të lirë, dhe Xh. A., 28 vjeç, i cili u shpall në kërkim. Punohet për kapjen e tij.
Më tej, vijojnë verifikimet dhe kontrollet, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të 4 shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast, si dhe për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve të përdorura. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.