Disa ditë më parë, JOQ Albania publikoi rastin e parë të një mashtrimi tipik online nga faqja “Bazz Brand Store”. Një vajzë që kishte porositur një çantë, në vend të saj mori një palë xhinse të përdorura. Ky rast u bë shkak për një lumë denoncimesh të tjera, të gjitha me të njëjtën skemë mashtrimi.
Nga mesazhet e mbërritura pranë redaksisë, del se dhe qytetarë të tjerë janë përballur me të njëjtën situatë: pasi bënin porosi në këtë faqe, në vend të produkteve të kërkuara u vinin rroba të përdorura, shpesh në gjendje të mjerueshme. Në dy raste abuzimi ishte edhe më i rëndë, pasi shumat që mashtruesit kishin marrë arrinin në 8.800 lekë dhe 9.000 lekë.
Njëra prej vajzave denoncuese rrëfen se kishte porositur një çantë dhe një palë shapka, por në vend të tyre iu sollën xhinse të përdorura dhe një set rrobash pa vlerë. Fillimisht, faqja tentoi ta qetësonte duke i thënë se porosia ishte “ngatërruar” dhe se postieri do të kthente produktin e saktë. Por, menjëherë më pas, faqja u mbyll dhe vajza humbi jo vetëm rrobat por edhe paratë.
Në rastin tjetër, një vajzë kishte porositur një set rrobash, ndërsa në shtëpi i mbërriti një fustan dhe një bluze, të cilat ajo me të drejtë i quan “zhele”. Pas kësaj, skema ishte e njëjtë: justifikime, mashtrim dhe zhdukje.
Rasti i “Bazz Brand Store” po tregon edhe një herë se sa të pambrojtur janë qytetarët shqiptarë ndaj mashtrimeve online. Skema është e thjeshtë, por efektive: krijohet një faqe, mblidhen porositë dhe pagesat, dërgohen rroba të përdorura për të fituar kohë dhe më pas faqja zhduket pa lënë gjurmë.
Kush fshihet pas kësaj faqe mashtruese? A do të reagojnë institucionet për të ndaluar këto skema që po zhvatin qytetarët çdo ditë?
Denoncimi 1:
Përshëndetje JOQ, Doja të denoncoja një mashtrim për blerjet online. Tani është bërë gjë e zakonshme, por gjynah që të tjerët të mos e peshojnë nga ajo faqe. Porosita një çantë, por më solli xhinse të përdorura 😂. Pas kësaj, faqja mbylli Instagram-in për disa ditë dhe numri i korrierit nuk më dilte më. Mendoj se bëhet fjalë për një faqe mashtrimi, e cila nuk ka lidhje me postën fare, sepse edhe numri që më mori në telefon rezultoi i fikur gjatë gjithë kohës që faqja ishte e mbyllur. Mbase ata gënjejnë disa njerëz, mbyllin faqen për të humbur gjurmët dhe, pasi kalon një kohë, e hapin përsëri dhe vazhdojnë me mashtrimet.
![]()
Denoncimi 2:
Përshëndetje, e njëjta gjë ka ndodhur dhe me mua porosita një çantë dhe një palë shapka më mori 88 mijë lek dhe më solli këto të përdorurat.


Denoncimi 3:
Përshëndetje e njëjta gjë më ka ndodhur dhe mua më ka marr 90 mijë lekë.

