Një qytetare që prej vitesh vuan nga alergjia dhe vështirësia në frymëmarrje i është drejtuar JOQ Albania për të denoncuar mungesën e pompës Salbutamol në farmacitë shqiptare. Ky medikament jetik, i cili shpëton jetë në situata emergjente, mungon në farmacitë tona.
Qytetarja shkruan se në fillim ka përdorur pompën Ventolines, por prej dy vitesh është hequr nga tregu farmaceutik për t'u zëvendësuar nga pompa Salbutamol e cila mungon në farmaci. Pompa Salbutamol që përdoret për të relaksuar dhe hapur rrugët e frymëmarrjes është jetike për pacientët që vuajnë.
Kjo situatë ka lënë pacientët pa asnjë zgjidhje dhe në rrezik serioz për jetën e tyre. Ndërsa në gjithë Europën ky medikament është në dispozicion, në Shqipëri mungesa e tij është shqetësuese dhe e paarsyeshme. Qytetarja tregon se motra e saj në Angli e gjen kudo këtë pompë, madje e merr falas, ndërsa në Shqipëri pacientët janë në rrezik.
"Përshëndetje JOQ! Jeni dera e vetme ku mund të trokasim. Unë jam një paciente që vuaj prej vitesh nga alergjia dhe kam vështirësi në frymëmarrje, dhe nuk jam e vetmja me këtë diagnozë. Pompa e Ventolines më ka shpëtuar jetën herë pas here. Në çantën time është gjëja e parë që fus kur dal nga shtëpia. Më shumë se dy vjet mungon në treg dhe është zëvendësuar me një pompë Salbutamol, e cila nuk është absolutisht e njëjta gjë, por e zëvendëson disi. Tani as Salbutamoli nuk gjendet në farmacitë tona, dhe na kanë lënë pa asnjë zgjidhje. Theksoj se në të gjithë Europën është në treg, vetëm në Shqipëri jo, dhe nuk di arsyen pse. Kam motrën në Angli që ka të njëjtin problem dhe e merr pompen, madje falas. Në Shqipëri nuk gjendet. Mbetem me shpresën që do ta postoni dhe do të na gjejnë ndonjë zgjidhje, sepse kështu do të na vrasin. Ju falënderoj paraprakisht", shkraun qytetarja për JOQ Albania.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me ministre Albana Koçiu, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore me drejtoreshë Blerina Kaza duhet të reagojnë dhe veprojnë. Të ndërmerren menjëherë masa për sigurimin dhe furnizimin me pompën e Ventolines në gjithë farmacitë e vendit.
