Një nga figurat më të shquara të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë. Lajmin e trishtë e ka bërë publik vajza e tij, Juna Anagnosti, përmes një postimi emocional në rrjetet sociale:
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës. Lamtumirë babush!”, shkruan ajo. Anagnosti do të prehet në Vuno të Himarës, në vendlindjen e tij, sipas amanetit të fundit.
Dhimitër Anagnosti ka qenë një nga mjeshtrat më të mëdhenj të kinemasë shqiptare. Në një karrierë prej mbi 40 vitesh, ai realizoi 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, dhe është autor i 15 skenarëve. Ndër veprat më të njohura të tij janë: "Lulëkuqet mbi mure", "Përrallë nga e kaluara", "Gjoleka, djali i Abazit", dhe shumë të tjera që kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Përveç regjisë, Anagnosti kishte pasion edhe për letërsinë. Ai botoi librat, Koburja nga Europa" (2017), "Ulliri, pema e dhembjes" (2019), ku rrëfen jetën e tij si kineast dhe shkrimtar. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturë dhe art, ai është nderuar me titujt “Artist i Popullit”, “Nderi i Kombit” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Anagnosti dha kontribut edhe në politikë në fillim të viteve ’90 si deputet i PD-së dhe Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (1992-1994). Ai ishte gjithashtu kryetar dhe themelues i Fondacionit “Fan Noli”, një strukturë që promovonte artin dhe kulturën shqiptare brenda dhe jashtë vendit.
Dhimitër Anagnosti ishte i martuar me aktoren e njohur Roza Anagnosti, “Artiste e Merituar”, me të cilën ndau një jetë të përkushtuar ndaj skenës dhe artit. Shqipëria humbi një ikonë të artit. Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Kujtimi dhe vepra juaj do të jetojnë gjatë në zemrat e shqiptarëve.