Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e pasdites së të premtes së 29 gushtit në Golem, ku një zotëri që pjek misra është përplasur nga një automjet që lëvizte kundravajtje.
Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë tonë, ngjarja ndodhi të premten rreth orës 17:00, teksa i lënduari i ngjarjes i identifikuar si “Ganiu që pjek misra”, u përplas nga kjo makinë që thuhet se është në përdorim nga hoteli De Light që ndodhet aty pranë.
Zotëria i aksidentuar ishte duke pjekur misra në anë të rrugës, ndërsa drejtuesi i këtij automjeti e ka përplasur dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e përplasjes, Ganiut i janë thyer dhëmbët, shpatulla dhe disa brinjë. Ai aktualisht ndodhet i shtruar me lëndime të shumta në spitalin e Durrësit.
Të afërm të tij kanë bërë denoncim në Polici, por asnjë masë nuk është marrë për këtë rast. Po sipas të njëjtave burime, makina që përdoret për transportin e turistëve lëviz vazhdimisht kundravajtje, dhe është përfshirë në aksidente edhe më parë.
Qytetarët kërkojnë që autoritetet të reagojnë dhe të ndëshkojnë autorët e këtij aksidenti automobilistik.
Më poshtë denoncimi i plotë:
Përshëndetje JOQ! Ka ndodhur një aksident në Golem të premten në orën 5 e ca mbazdite. Një shitës misrash u përplas nga një makinë që bën rrugën kundravajtje dhe çon pushuesit te hotel DE Light.
E përplasi dhe e la aty, policia thotë ka qenë i pirë, nuk vete të marrë viktimën t’i bëjë matjet e alokit. Familjarët bënë denoncim, policia nuk përgjigjet.
Kjo është rruga dhe makina që përplasi misër-pjekësin, xhaxhi Ganin. Ai është një hallexhi që punon për copën e bukës, kurse kjo makinë kalon kundravajtje dhe policia nuk ndërhyn. Bëhet shkak aksidenti, ja misë-pjekësi po lufton në spital dhe nuk iu përgjigj lokali De Light.
Ja ka thyer dhëmbët, shpatullën dhe brinjët. Ju falanedojmë shumë nëse e publikoni si rast, se nuk është hera e parë që ky automjet bën aksident, por ky rast është fatal. Personi është akoma në reanimacionin e spitalit të Durrësit, në pritje të skanderit të radhës.