Kjo grabitje ka ndodhur brenda një dyqani në qytetin e Korçës, në zonën e shëtitores Fan Noli, një prej rrugëve më të frekuentuara në qytet.
E gjitha ka nisur kur një hajdut ka kaluar përpara dyqanit, dhe ka vënë re se mbi banak ishte lënë një çantë. Brenda pak sekondash ai thur në mendje planin e vjedhjes, dhe pasi bën disa hapa përpara, kthehet për t’u futur në dyqan.
I pashqetësuar se ambienti ishte i pajisur me kamera sigurie, ai hyn me fytyrën zbuluar dhe i afrohet çantës, e merr dhe largohet. Pak më tej ai futet mes dy ndërtesave, në një rrugicë të ngushtë, ku fillon të kontrollojë për sende me vlerë brenda saj.
Sipas denoncueses, ai ka marrë telefonin dhe një shumë parash, më pas çantën e ka hedhur në një cep.
Qytetarja i bën thirrje që të kthejë menjëherë sendet e grabitura, në të kundërt është e detyruar që të bëjë një kallëzim në Polici, dhe për këtë disponon pamjet e ngjarjes.
Denoncimi i plotë:
“Ju lutem JOQ, ka mundësi ta publikoni këtë video? Ky person na ka marrë çantën në dyqan dhe është larguar. I bëjmë thirrje ta kthejë, ose përndryshe do t’i bëjmë denoncim. Në Korçë, te shëtitorja Fan Noli. Ka marrë celularin dhe një vlerë monetare, pastaj çantën e ka hedhur poshtë. Çantën e gjetëm, po i bëjmë thirrje të na kthejë gjërat e tjera se do t’i bëjmë denoncim në Polici.”