Sektori i kulturave bujqësore dhe ai i blegtorisë përballen me rreziqe të mëdha për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas një raporti të fundit që nxjerr në pah sfidat kryesore që ndikojnë në prodhimin bujqësor dhe mirëqenien e kafshëve në vend.
Raporti thekson rritjen e rrezikut të thatësirës dhe mungesës së ujit, që çon në nevojën për ujitje më intensive, por edhe përmbytje masive që ndodhin çdo 3-4 vjet. Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha, duke shkatërruar rreth 10 000 hektarë grurë, 15 000 hektarë foragjere, 1000 hektarë pemë frutore dhe mbi 1500 hektarë vreshta. Dëmtimet më të mëdha janë regjistruar në rajonet e verilindjes, kryesisht në zonat e Shkodrës dhe Lezhës.
Në sektorin e blegtorisë, ndryshimet klimatike ndikojnë drejtpërdrejt në riprodhimin, shëndetin dhe vdekshmërinë e kafshëve për shkak të rritjes së temperaturave. Stresi nga nxehtësia është më i dukshëm në sistemet e kullotjes në zonat malore, ku bagëtitë e imëta, edhe pse janë raca lokale, nuk janë të përshtatura me temperaturat e larta.
“Efekti i stresit të shkaktuar nga nxehtësia në prodhimin e mishit do të lidhet me mungesën e prodhimit të foragjereve, uljen e vlerës ushqyese dhe rritjen e kostove të prodhimit, duke detyruar përdorimin e produkteve ushqimore më të koncentruara,” thuhet në raport.
Ndërkaq, prodhimi i mishit të derrave dhe shpendëve pritet të preket më shumë në zonat fushore, ku temperaturat janë më të larta. Problemet me disponueshmërinë dhe cilësinë e ujit pritet të ndikojnë negativisht në sektorin e blegtorisë, për shkak të infrastrukturës së kufizuar dhe mirëmbajtjes së dobët.
Raca lokale e bagëtive të imëta, deleve dhe dhive, e rritur kryesisht në sistemet e kullotjes, konsiderohet më e cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike. Raporti paralajmëron se nga dhjetë raca dele, tri janë në rrezik zhdukjeje, ndërsa nga 17 raca dhie, 10 janë të kërcënuara nga zhdukja.
Mungesa e ujit pritet të shkaktojë probleme edhe në higjienën gjatë mbarështimit të kafshëve, duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe cilësinë e produkteve të prodhuara. Për më tepër, temperaturat më të larta dhe ndryshimet në modelet e reshjeve mund të shkaktojnë përhapjen më të madhe të sëmundjeve që transmetohen nga insektet dhe makroparazitët, përfshirë shfaqjen e sëmundjeve të reja.
“Racat lokale dhe ato të rralla mund të zhduken si pasojë e ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe shpërthimit të epidemive,” paralajmëron raporti, duke nënvizuar nevojën urgjente për masa mbrojtëse dhe adaptuese në sektorin bujqësor dhe të blegtorisë në Shqipëri.