Autoritetet italiane kanë përfunduar hetimet për vrasjen e Fatos Cenajt, 58-vjeçarit shqiptar që u gjet i pajetë më 8 qershor në Fontaniva, në Via Casoni Basse. Pas disa javësh hetimesh, policia italiane ka përjashtuar mundësinë e një aksidenti, duke konfirmuar se bëhet fjalë për një vrasje të qëllimshme.
Sipas burimeve zyrtare, hetimi i drejtuar nga Prokurorja Publike Maria d’Arpa ka zbuluar se krimi ishte i planifikuar dhe lidhet me të kaluarën e viktimës në Shqipëri. Gjurmët çojnë drejt një hakmarrjeje për një çështje të papërfunduar, ndonëse motivi i saktë mbetet ende i paqartë.
Cenaj, ish-oficer burgu në Shqipëri, kishte dy vite që jetonte në Itali me bashkëshorten dhe vajzën, ku punonte në një stallë kuajsh. Ai u qëllua me armë zjarri teksa po udhëtonte me motoçikletë për në punë. Fillimisht u dyshua për një aksident, por autopsia zbuloi një plagë plumbi në kokë.
Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e banorëve kanë qenë vendimtare për përmbysjen e pistës së parë. Aktualisht, autoritetet italiane kanë një person të dyshuar dhe janë duke bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për të zbardhur të plotë prapaskenat e ngjarjes.
Familja e viktimës, e tronditur nga ngjarja, është larguar nga banesa për arsye sigurie. Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi motivin dhe autorët e vrasjes.