Një qytetare ka raportuar një përvojë shumë të pakënaqshme gjatë pushimeve të saj në Vlorë, në Hotel Britania, duke denoncuar kushte të papranueshme shërbimi dhe ushqimi, që kanë shkaktuar probleme shëndetësore për familjen e saj dhe të tjerët.
Sipas saj, problemet kanë nisur që me mëngjesin. Shërbimi ishte planifikuar nga ora 7:00 deri në 10:00, por kur qytetarja shkoi në orën 7:40, ushqimi kishte përfunduar. Pjata të lagura, gota të papastra dhe ushqime të lëna të hapura me insekte ishin pjesë e përditshmërisë në hotel. Pjesa më e madhe e ushqimeve gjatë mëngjesit dhe darkës ishte e ftohtë, dhe pushuesit detyroheshin të rrinin në radhë për të marrë pjesën e tyre.
Edhe gjatë darkës situata nuk ndryshoi: makarona të ftohta, ushqime të paprekura dhe një menaxhim që favorizonte disa persona, duke lënë pjesën tjetër të pushuesve pa ushqim.
Qytetarja tregon se, për shkak të kushteve dhe ushqimit të keq, burri dhe vajza e saj u helmuan, gjë që e detyroi të ndërpresë qëndrimin dhe të largohej nga hoteli, pavarësisht çmimit të lartë, 180 euro nata. Ajo thekson se helmimi nuk ndodhi vetëm tek familja e saj:
"Por mbi të gjitha, jo vetëm ne që ishim helmuar, po të gjithë që ishim në atë hotel. Nga data 23 gusht jemi helmuar, dhe ata na tregonin se në atë gjendje ishin."
Ky rast nxjerr në pah mungesën e higjienës dhe cilësisë së shërbimeve në disa hotele dhe tregon nevojën për kontrolle më të rrepta për sigurinë dhe mirëqenien e turistëve.
Mesazhi i plotë i qytetares:
"Pershendetje JOQ Albania! Unë pushimet vendosa mi kalu në Vlorë te Hotel Britania Vlorë, i tmerrshëm ka qenë mëngjesi dhe darka, mëngjesi shërbehej nga ora 7 deri ne ora 10 dhe në ora 7:40 kur shkova me hëngër mëngjes unë kështu nuk kishte asgjë për mëngjes dhe kur i pyeta a ka ma sene tjera ndonjë kifle than jo s’na kanë mbet, pjatat të lagta gotat e lagta të pa pastra i insekte mbi ushqime sepse i lenin të hapura, njëjtë darka çdo natë makarona të ftohta dhe shumica mbetnin unë në fund nuk kishin qa me thon, thonin jo po te gjithë tjerët po i marrin ka dy copa prandaj ju po mbetni pa ushqim. E vendosnin vetëm në një vend dhe u bënte radha e njerëzve që qëndronin në atë hotel sikur refugjat lufte ndërsa çmimi 180€ nata. U helmua nga ushqimi burri dhe vajza dhe u deshtë me ndërpre me lënë të paguar hotelin. Por mbi të gjitha, jo vetëm ne që ishim helmuar, po të gjithë që ishim në atë hotel. Nga data 23 gusht jemi helmuar, dhe ata na tregonin se në atë gjendje ishin."