Stuhia e fuqishme e ditës së djeshme ka lënë pa energji elektrike shumë zona në qarqe të ndryshme të vendit duke shkaktuar mjaft probleme për qytetarët që nuk kanë as një përgjigje apo informacion zyrtar nga autoritetet përkatëse për këtë situatë.
Në Tale, mungesa e rrymës ka nisur që prej orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, dhe sipas një qytetareje që ndodhet atje me familjen për pushime, energjia elektrike mungon edhe në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Ajo thotë se në këto rrethana nuk mundet as t’u përgatisë mëngjesin fëmijëve, ndërkohë që askush nuk i informon se kur do të rikthehet energjia, as administratorët e menaxhimit të apartamenteve dhe as institucionet përgjegjëse.
Nga ana tjetër, një qytetare nga zona e Dajtit në Tiranë ka denoncuar mungesën e energjisë dhe të ujit prej më shumë se 20 orësh.
Ajo thotë se që nga dje në orën 12:00 të drekës janë pa drita dhe pa ujë. Sipas saj operatoret e OSHE nuk përgjigjen dhe janë gjatë gjithë kohës të zënë dhe askush nuk e di kur do rikthehen dritat apo uji.
Problematike paraqitet situata edhe në Kamëz dhe zonat përreth (Valias, Tapisë, Qerekë e Rinas), ku mungesa e energjisë elektrike vazhdon prej më shumë se 20 orësh dhe ende nuk dihet se kur do rikthehet normaliteti.
Qytetarët kërkojnë transparencë dhe komunikim nga autoritetet përkatëse për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe kur pritet të rikthehen këto shërbime bazë dhe jetike pasi nëse OSHEE po pret të hënën për t’iu rikthyer punës, qytetarët nuk munden.
Mungesa e energjisë elektrike mban pezull shumë aktivitete të tyre si në shtëpi dhe biznese, prandaj ata kërkojnë që punonjësit e OSHEE të dalin menjëherë në terren dhe të rregullojnë defektet në zonat problematike, pasi faturat po i paguajnë rregullisht dhe në kohë.
Denoncimi 1:
Pershendetje, prej ores 22:00 mbreme nuk ka rryme ne Talea Coast ne Tale. Jemi me pushime me familje dhe nuk po kemi mundesi as mengjes me ju pergadite femijeve meqenese nuk ka rryme as tani kur eshte ora 07:00 e mengjesit?! Askush nuk na informon kur pritet te vije rryma as agjencite e menaxhimit te apartamenteve askush… eshte tmerr. Anonim ju lutem. Falemnderit!
Denoncimi 2:
Pershendetje! Jam nje qytetare qe jetoj te zona e Dajtit,kemi qe dje ne oren 12:00 te drekes pa drita dhe pa uji , eshte nje situate deshperuese mbi 20 ore pa drita eshte tmerr , nuk kemi info a po punohet per difektin pasi operatoret e oshe nuk pergjigjen per tna informuar, jane gjat gjith kohes te zene, ju lutem publikoheni ndoshta jane online dhe lexojne postimin tuaj . Faleminderit
Denoncimi 3:
Ktu ne kamez lagjia numer 4 lagjia me problematike si per drita si per uji...ne jemi pa drita qe dje kur nisi fortuna
Denoncimi 4:
Edhe ne fshatin Nevicisht te Korces diten e djeshme nuk ks pasur drita qe ne oren 12 te drekes dhe deri ne oren 7 pasdite dhe gjate ores 12 te nates deri ne 6 te mengjesit perseri nuk kishim drita.