Denoncim i rëndë te Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”: Kujdestarja ulëret çdo mëngjes ndaj fëmijëve

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 31.08.2025, 09:17

Një rast shqetësues është denoncuar në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, ku prej rreth një muaji një nga kujdestaret dyshohet se ulëret vazhdimisht ndaj fëmijëve, duke krijuar një klimë frike dhe stresi te ta. Ngjarjet mësohet se ndodhin në orët e mëngjesit, rreth orës 08:00, në kohën kur fëmijët ushqehen.

Sipas qytetarëve që kanë dëgjuar situatën, sjellja e kujdestares nuk është e justifikueshme dhe shihet si një formë e rëndë abuzimi psikologjik. Fëmijët që ndodhen në këtë institucion janë ndër më të pambrojturit në shoqëri, prandaj edhe kërkohet vëmendje dhe përkujdesje e veçantë, jo ulërima dhe trajtim të ashpër.

Ky denoncim rikthen në vëmendje shqetësimet e vazhdueshme mbi mënyrën si menaxhohen institucionet e kujdesit social, duke ngritur pyetje mbi mungesën e monitorimit dhe kontrollit efektiv nga autoritetet përgjegjëse. Qytetarët kërkojnë reagim urgjent për të mbrojtur fëmijët dhe për të garantuar që raste të tilla të mos përsëriten.

Mesazhi i plotë i qytetarit:


“Përshëndetje! Dua të ndaj një shqetësim urgjent! Tek shtëpia e fëmijës Zyber Hallulli ka rreth 1 muaj që një nga kujdestaret dëgjohet sistematikisht që ulëret fëmijëve. Ora 8 e mëngjesit. Nuk e di çfarë mund të ketë bërë një fëmijë që do të ushqehet për të merituar një trajtim të tillë. Ka rreth 1 muaj dëgjohet kjo. Më parë nuk kemi dëgjuar gjë.”

Ky rast kërkon hetim urgjent nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe nga institucionet përkatëse, në mënyrë që fëmijët të mbrohen nga çdo formë abuzimi dhe të marrin kujdesin që meritojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit