Një video prekëse dhe emocionuese ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, e dërguar nga miku i ngushtë i Rozalindës, Adi.
Në vend që këtë ditë ta festonte mes familjarëve dhe miqve, Rozalinda e ka pritur ditëlindjen e saj të 23-të e shtrirë në një shtrat spitali, duke luftuar me gjithë forcën e saj kundër një sëmundjeje të rrallë.
Mesazhi i plotë i Adit, një dedikim i ndjerë për Rozalindën dhe shqiptarët
“Përshëndetje JOQ! Jam Adi, jam shoku i Rozalindës. Sot është ditëlindja e saj, ajo bën 23-vjeçe dhe ju e dini që ajo ndodhet në spital në një situatë kritike. Dua të bëj diçka që jam i sigurt se ajo do të donte ta bënte sot, një falënderim për të gjithë shqiptarët që kanë kontribuar nga data 3 dhjetor deri tani për operacionet e saj të njëpasnjëshme,” thotë Adi, ndërsa emocioni i lexohet në fytyrë.
Ai thekson se Rozalinda do të donte t'i falënderonte të gjithë pa përjashtim dhe t'i njihte ata personalisht. “Dua t’i them të gjithë shqiptarëve faleminderit për gjithçka që keni bërë për Rozalindën dhe do të doja të luteshit që çdo gjë të shkonte mirë. Dëshira e saj për të jetuar është shumë e madhe dhe ajo është një burrneshë,” përfundon ai mesazhin e tij me një urim të përzemërt: “Edhe 100, motër!”
Lufta e Rozalindës, një histori që preku zemrat e të gjithëve
Rasti i Rozalindës u bë publik nga JOQ Albania në shkurt të këtij viti. Ajo u diagnostikua me Neurofibromatozë, një sëmundje e rrallë që i kishte shkaktuar 18 tumore në trup, dy prej të cilave në kokë. Pas publikimit të historisë, shqiptarët u bashkuan dhe solidarizuan duke mbledhur shumën e nevojshme për kurimin e saj në Spanjë.
Fatkeqësisht, operacioni i parë nuk shkoi siç ishte parashikuar. Goditja e njërit prej tumoreve i shkaktoi Rozalindës paralizë, duke e lënë të paaftë të lëvizë asnjë gjymtyrë, me përjashtim të syve dhe buzëve. Ajo aktualisht ndodhet në një spital në Athinë.
Në këtë ditë të veçantë, lutjet dhe mbështetja e të gjithë shqiptarëve mbeten shpresa më e madhe për Rozalindën që ajo të fitojë këtë betejë të vështirë.