Stuhia e fuqishme goditi Shqipërinë, sinoptikania paralajmëron qytetarët për orët në vijim

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 30.08.2025, 20:00

Përgjatë orëve të fundit, Shqipëria është përfshirë nga një stuhi tropikale e pazakontë për këtë periudhë të vitit, e shoqëruar me reshje shiu shumë intensive, erëra të forta dhe përmbytje masive në disa zona të vendit. Fenomeni ekstrem, i ngjashëm me ciklonet mesdhetare që zakonisht prekin rajonin në fund të verës, solli dëme të shumta materiale, ndërprerje të qarkullimit në disa akse rrugore dhe rrezik serioz për qytetarët.

Në kryeqytet, dhjetëra pemë janë rrëzuar, rrugët janë përmbytur dhe sende të rënda janë shkëputur nga era, duke shkaktuar lëndime te qytetarët. Sipas burimeve nga Spitali i Traumës, deri tani janë paraqitur 20 persona të dëmtuar, prej të cilëve 10 po marrin ende trajtim mjekësor. Shumica kanë pësuar dëmtime nga objekte të forta të fluturuara nga era, çka dëshmon fuqinë e jashtëzakonshme të stuhisë.

Situata problematike është raportuar edhe në qytete si Durrësi, Lezha, Shëngjini dhe Vlora, ku përmbytjet kanë bllokuar rrugë dhe kanë dëmtuar banesa e biznese. Autoritetet lokale dhe emergjencat civile janë vënë në gatishmëri, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje për kujdes të shtuar në lëvizje dhe shmangien e zonave më të rrezikuara.

Në lidhje me këtë situatë, sinoptikania Anira Gjoni, ka dhënë një parashikim të detajuar për orët në vijim. Ajo theksoi se stuhia do të arrijë kulmin gjatë natës së së shtunës, nga ora 22:00 deri rreth orës 03:00 të mëngjesit, me reshje të dendura në disa qarqe.

Sipas Gjonit, reshjet do të vazhdojnë deri të dielën, ndërsa pasditja e saj do të sjellë një përmirësim të përkohshëm të motit. Megjithatë, shiu do të vijojë deri të mërkurën e ardhshme, por me intensitet më të ulët pas ditës së martë.

Për shkak të sasisë së lartë të reshjeve, rreziku më i madh është në zonat malore, ku priten rrëshqitje dherash dhe probleme me qarkullimin. Nga ana tjetër, qytetet si Lezha, Durrësi dhe Tirana do të përballen me erë të fortë dhe reshje intensive, duke ndikuar ndjeshëm në jetën e përditshme dhe lëvizjen e mjeteve.

“Në zonat malore në të gjitha qarqet shfaqen problematika, të rrëshqitjeve të dherave. Kurse në qytetet si Lezha, Durrësi dhe Tirana pritet që të kenë një përkeqësim të motit. Presim që të kemi pushimin e reshjeve gjatë paradites së ditës së nesërme. Stuhia do të jetë nga ora 22:00 e darkë deri rreth orës 3:00 të mëngjesit. Por, kjo varet në zona të ndryshme, me orë të ndryshme. Reshjet pritet që të vazhdojnë gjatë natës, dhe deri mëngjesin e ditës së nesërme. Në ditën e hënë dhe të martë pritet që të ketë reshje shiu, deri nga dita e mërkurë, por kjo me intensitet të ulët”, tha meteorologia.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit