“Motra, nuk duroj dot nga dhimbjet e dhëmbëve, më mirë të vdes” – është biseda e fundit e Aleksandrit me motrën, thirje kjo që e shtyu t'i drejtohej redaksisë sonë për ndihmë
Një thirrje zemre ka mbërritur në redaksinë tonë nga nëna e Aleksandrit, një djalë i ri vetëm 24 vjeç, i cili prej moshës 2-vjeçare vuan nga epilepsia. Krizat e shpeshta e kanë shoqëruar gjithë jetën dhe, për shkak të mungesës së mundësive ekonomike dhe bindjes së prindërve se nuk kishte shërim, ai nuk ka marrë kurrë trajtim mjekësor.
Sot, krizat e kapin rreth një herë në dy muaj, zgjasin minuta të tëra dhe familja çdo herë jeton me frikën se mos ai humb jetën. Sikur të mos mjaftonte kjo sëmundje e rëndë, Aleksandri vuan edhe nga probleme shumë serioze me dhëmbët. Ata janë në gjendje tejet të rënduar, të nxirë e të prishur, duke i shkaktuar dhimbje të forta çdo ditë. Për të përballuar vuajtjen, ai detyrohet të marrë ilaçe kundër dhimbjes, por kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme.
Mjekët në qytetin e tyre nuk kanë pranuar të marrin përsipër trajtimin, nga frika e krizave të tij. Sipas nënës së tij, sa herë që ai përjetonte dhimbje, shtrëngonte dhëmbët, gjë që ka çuar edhe në shkatërrimin skandaloz të tyre.
Gjendja e familjes është shumë e rëndë. Vetëm babai punon herë pas here në punë të rënda fizike, duke bërë qymyr në mal ose duke emigruar për pak kohë në Greqi, sa herë ka mundësi. Vëllai tjetër i madh nuk është në gjendje të punojë, pasi ka kaluar trauma të rënda gjatë qëndrimit të tij pa dokumente në Greqi, që e kanë lënë me pasoja të rënda psikologjike.
Klikoni këtu për të dhuruar në GoFundMe
Mesazhi i motrës së Aleksandrit
“Qëllimi im është të mbledh një shumë të konsiderueshme për vëllain tim të vogël, që vuan prej vitesh nga epilepsia. Dua ta çoj te një specialist neurolog për trajtim dhe t’i rregulloj dhëmbët që janë në gjendje të tmerrshme. Sot po ju kërkoj me gjithë shpirt: më ndihmoni me një shpërndarje ose një ndihmë, sado e vogël, sepse çdo ndihmë është një shpresë e madhe për të. Dua t’i ndryshoj jetën që ka kaluar mes dhimbjeve dhe vuajtjes.”
