“Hapen rrugën për të rregulluar kabullin elektrik, çanë kolektorin kryesor”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.08.2025, 15:58

Një tjetër rast që tregon nivelin “fantastik” të punëve publike ka ndodhur ditët e fundit në kryeqytet. Për të rregulluar një kabllo elektrik, punonjësit kanë hapur rrugën, kanë çarë kolektorin kryesor të ujërave dhe, në vend që ta rikthenin në gjendjen e mëparshme, e kanë mbyllur thjesht me dhè dhe baltë.

Kolektori jo vetëm që është dëmtuar, por edhe është bllokuar më keq se më parë. Në vend që të zgjidhej problemi, është krijuar një tjetër shqetësim për banorët e zonës, të cilët rrezikojnë të përballen me përmbytje dhe erë të padurueshme sa herë që bie shi.

Kjo mënyrë “teknike” e ndërhyrjes duket se po bëhet standard: hap rrugën, rregullo një defekt, prish diçka tjetër dhe mbylle shpejt e shpejt, sikur askush nuk do ta shohë. Banorët ironizojnë se “më mirë mos ta rregullonin kabllon, se tani na kanë prishur kolektorin”.

Në një kohë kur institucionet reklamojnë me krenari projekte miliona eurosh, qytetarët shohin me sytë e tyre se si punimet bazike kryhen me baltë dhe me mentalitetin “mbylle se u bë”. Pyetja që ngrihet është e thjeshtë: kush mban përgjegjësi për dëmtimin e kolektorit dhe për pasojat që do të vuajnë banorët?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit