Stuhia e fuqishme me erëra të forta dhe reshje të dendura që përfshiu kryeqytetin ditën e sotme ka shkaktuar jo vetëm dëme materiale, por edhe lëndime tek qytetarët.
Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se deri më tani janë paraqitur 20 persona të dëmtuar. Prej tyre, 10 po vijojnë të marrin trajtim mjekësor.
Shumica e të lënduarve kanë pësuar dëmtime nga sende të forta që janë shkëputur e fluturuar në ajër për shkak të erës së fuqishme, duke rrezikuar kalimtarët dhe banorët e zonave të ndryshme të Tiranës.
Autoritetet po bëjnë apel për kujdes të shtuar gjatë orëve të ardhshme, pasi parashikimet flasin për vijim të motit të paqëndrueshëm.