“1 mijë € s’ta prishim tendën” lihet në burg Fuçia, fajin ia rras Klajdi Zhillës: Ai i mori lekët!

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.08.2025, 12:37

Punonjësi i IMT-së Tiranë, Klajdi Zhilla, i shpallur në kërkim për marrjen e 1 mijë eurove ryshfet për të mos hequr tendën e një lokali në Kombinat, është vetëdorëzuar në polici. Zhilla u paraqit mbrëmjen e së premtes në komisariat, i shoqëruar nga avokati i tij, Andi Skënderi.

Edhe pse kishte arritur të largohej gjatë ndërhyrjes së policisë dhe u shpall në kërkim si personi që mori paratë, Zhilla, i cili ishte pjesë e IMT-së vetëm dy muaj, ka pretenduar në dëshminë paraprake se nuk e dinte se ishte në kërkim dhe e kishte mësuar vetëm nga mediat.

Ndërkohë, GJKKO ka lënë në fuqi sot masën “arrest në burg” për inspektorin tjetër, Geraldo Fuçia, i cili akuzohet se i kërkoi paratë pronarit të lokalit. Para togave të zeza, Fuçia ka përvetësuar një “strategji të veçantë” duke pretenduar se nuk kishte kryer asnjë veprim dhe se takimin e marrjen e parave e kishte bërë kolegu i tij, Klajdi Zhilla.

Punonjësit e IMT-së u kallëzuan nga vetë pronari i lokalit, që pretendoi se u ishte ofruar një marrëveshje për të mos ia prishur tendën, kundrejt 1 mijë eurove. Policia, me miratimin e SPAK-ut, nisi përgjimet dhe më pas simuloi dhënien e parave.

Në momentin kur 1 mijë eurot iu dorëzuan Zhillas, tre kolegët e tij prisnin brenda një lokali aty pranë. Policia ndërhyri menjëherë, dhe inspektorët tentuan të fshehin paratë në një gotë mbi banak.

Zhilla arriti të largohej me një “Audi”, ndërsa tre të tjerët u ndaluan. Vetëm Geraldo Fuçia mbeti në arrest në burg si personi që kishte kërkuar ryshfetin. Dy të tjerët një inspektor dhe menaxheri i lokalit, që dyshohet se ndihmoi në fshehjen e parave po hetohen në gjendje të lirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit