Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar dhe asgjësuar një sasi të konsiderueshme të mallrave të falsifikuara të llojit mbathje sportive për meshkuj, të cilat bartnin shenjat dalluese të disa prej markave ndërkombëtare më të njohura.
Ngjarja është zbuluar gjatë një kontrolli rutinor nga zyrtarët doganorë në ZBD Aeroport – Cargo. Pas ekzaminimit të detajuar, është vërtetuar se mallrat ishin të falsifikuara dhe shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale.
Dogana ka bërë të ditur se në përputhje me dispozitat ligjore dhe procedurat e parashikuara në Kodin Doganor dhe të Akcizës (KDAK), mallrat e konstatuara si të falsifikuara janë asgjësuar në mënyrë të kontrolluar nën mbikëqyrjen e zyrtarëve doganorë.
Ndaj subjektit përgjegjës janë ndërmarrë masat ligjore përkatëse për përfshirje në tregti të ndaluar dhe cenim të pronësisë intelektuale.
Dogana ka ritheksuar vendosmërinë e saj për të luftuar kontrabandën dhe falsifikimet, duke mbrojtur kështu pronësinë intelektuale dhe konsumatorët.