Një studim i ri ka zbuluar se ekspozimi i shpeshtë ndaj temperaturave ekstreme po e përshpejton procesin e plakjes te njerëzit. Sipas shkencëtarëve, dëmi që shkakton i nxehti është i krahasueshëm me pasojat që lënë pirja e duhanit, alkooli, kequshqyerja ose mungesa e aktivitetit fizik.
Shkencëtarët theksojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe kjo mund të sjellë dëme të mëdha dhe afatgjata për shëndetin e miliarda njerëzve.
Deri tani dihej se valët e të nxehtit shkaktojnë rritje të vdekjeve të parakohshme, siç ndodhi në Angli në qershor ku rastet e 600 viktimave u lidhën me këtë shkak. Por analiza e re është ndër të parat që tregon efektet afatgjata që i nxehti ka tek organizmi.
Shkencëtarët studiuan 25 mijë persona në Tajvan për një periudhë 15-vjeçare. Ata krahasuan ekspozimin e tyre ndaj të nxehtit me “moshën biologjike”, që tregon gjendjen e përgjithshme të trupit. Rezultoi se sa më shumë ditë me temperatura ekstreme të kalonin, aq më shpejt plakej organizmi. Për shembull, vetëm pak ditë më shumë me vapë brenda një periudhe dyvjeçare sillnin rritje të moshës biologjike me disa ditë. Njerëzit që punonin jashtë, të cilët kalonin më shumë orë nën diell, ishin më të prekur dhe plakeshin disa herë më shpejt se të tjerët.
Shkencëtarët theksojnë se kjo rritje e moshës biologjike, edhe pse duket e vogël, është shqetësuese pasi matet vetëm në një periudhë dyvjeçare. Nëse njeriu ekspozohet ndaj valëve të nxehtit gjatë gjithë jetës, dëmi bëhet shumë më i madh dhe rrit ndjeshëm rrezikun për sëmundje e vdekje të parakohshme.
“Valët e nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe zgjasin më shumë, prandaj pasojat shëndetësore në të ardhmen mund të jenë edhe më të rënda,” tha Dr. Cui Guo nga Universiteti i Hong Kongut, autor i studimit.
Ekspertët thonë se ky studim është një “ndryshim paradigme” në mënyrën se si e kuptojmë efektin e të nxehtit mbi shëndetin. Profesori australian Paul Beggs u shpreh: “Shumë prej nesh kemi kaluar valë të nxehti dhe kemi menduar se nuk na kanë lënë pasoja. Por ky hulumtim tregon se i nxehti ndikon në mënyrën si ne plakemi. Efekti mund të ndodhë në çdo moshë dhe të zgjasë gjithë jetën.”
Studimi u publikua në revistën shkencore Nature Climate Change dhe përfshinte analiza të detajuara mbi tensionin e gjakut, kolesterolin, inflamacionin dhe funksionimin e organeve si mushkëritë, mëlçia dhe veshkat. Të gjitha këto të dhëna krahasoheshin me moshën reale për të parë nëse i nxehti përshpejtonte plakjen.
Rezultoi se numri total i ditëve me vapë ekstreme kishte ndikimin më të madh tek plakja e përshpejtuar. Shkencëtarët dyshojnë se dëmtimi i ADN-së është një nga shkaqet kryesore. Edhe pse me kalimin e kohës njerëzit përpiqeshin të përshtateshin, duke qëndruar në hije ose duke përdorur ajër të kondicionuar, efekti i të nxehtit mbetej i rëndësishëm.
Në fakt, 25 mijë personat e studimit ishin mesatarisht më të rinj dhe më të shëndetshëm se popullsia e përgjithshme. Kjo do të thotë se tek njerëzit më të moshuar dhe me probleme shëndetësore efektet janë shumë më të mëdha se ato që tregoi studimi.
Rezultatet janë në përputhje edhe me studime të tjera të kryera në SHBA, ku u gjet se nxehtësia e lartë përshpejton plakjen dhe përkeqëson funksionin e trurit, sidomos tek të moshuarit dhe tek njerëzit që jetojnë në lagje të varfra.