Një tjetër tender i majmë përfundon në duart e të njëjtëve emra. Drejtoria Rajonale e OSSH Elbasan, pjesë e OSHEE GROUP, ka shpallur fituese kompaninë ERGI shpk, në pronësi të Nuri Ballës, për rikonstruksionin e rrjetit TU me kabëll ABC dhe kabinave në rrethinat e Elbasanit.


Vlera e kontratës arrin në rreth 1.7 milionë euro, ndërkohë që në garë morën pjesë 4 kompani të ndryshme. Ironikisht, dy prej tyre ofruan çmime më të ulëta, por kjo nuk mjaftoi që të fitonin. Fatin e kishte përsëri Balla, duke përfituar një tender që ngre dyshime të forta për abuzim.
Nga dokumentet e siguruara nga JOQ Albania, vihet re se vlera fituese është pothuajse e barabartë me fondin limit të parashikuar, një praktikë tipike kur fituesi është i paracaktuar dhe gara shërben vetëm për sy e faqe.

Pronari i “ERGI” shpk, Nuri Balla, nuk është emër i panjohur për drejtësinë dhe tenderat publikë. Në vitin 2017 ai ka qenë nën hetim nga Prokuroria e Elbasanit, si pjesë e një megaoperacioni për kontrollin e pasurive të 67 personave të lidhur me pushtetin lokal, mes tyre edhe të afërm të ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini. Lista përfshinte biznesmenë të fuqishëm të Elbasanit, ku ndër ta ishte edhe Balla.

Ndër vite, kompania e tij është favorizuar vazhdimisht në tendera të shënuar me “flamur të kuq”, ndërsa emri i Ballës është lidhur edhe me aferën e inceneratorëve. Më 19 qershor 2023, shoqëria ECO-ELB që administron landfillin dhe inceneratorin e Elbasanit i dha firmës së Ballës të drejtën e modifikimit, testimit dhe ndezjes së inceneratorit kundrejt vlerës 27.5 milionë lekë.
Pra, ndërsa qytetarët paguajnë faturat e kripura të energjisë dhe taksat e inceneratorëve që nuk funksionojnë, fondet publike vijojnë të përfundojnë tek të njëjtët emra të lidhur ngushtë me pushtetin lokal e qëndror.
