Maturantët në panik për degët e fituara: Duhet më shumë kohë për regjistrim

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 29.08.2025, 20:00

Ka nisur këtë të premte të 29 gushtit regjistrimi i maturantëve në universitete, i cili do të vazhdojë deri në 11 shtator.

Kjo periudhë është parashikuar të ndahet në 7 faza regjistrimi, secila me nga 48 orë kohëzgjatje. Maturantët që kanë kaluar provimet e maturës dhe kanë dalë fitues në aplikimin e degëve të studimit, duhet që të kryejnë regjistrimin në universitet brenda afateve, në të kundërt vendi i tyre mund t’i kalojë automatikisht kandidatëve që janë në listë pritëse.

Kjo gjë po vendos në vështirësi dhe stres maturantët, të cilët që ditën e tyre të parë të regjistrimeve janë përballur me probleme. Më e vështirë situata është paraqitur në Universitetin e Mjekësisë, ku fluksi i madh i studentëve ka shkaktuar radhë të gjata dhe debate në korridore.

Një maturante denoncon situatën duke thënë: “Përshëndetje JOQ! Ju lutem bëni diçka për këtë gjendje në Universitetin e Mjekësisë 2025. Shikoni çfarë ka ndodhur sot gjatë regjistrimeve. Kemi vetëm dy ditë kohë për t’u regjistruar, përndryshe rrezikojmë të humbasim degën. Anonim ju lutem.”

Shumë studentë kërkojnë që fazat e regjistrimit të mos kufizohen vetëm në 48 orë, pasi kjo krijon kaos dhe mund të pengojë disa prej tyre që të sigurojnë vendin e fituar.

Pas përfundimit të 7 fazave të para, është parashikuar një periudhë e veçantë çregjistrimi, ku studentët që duan të ndryshojnë degën mund të heqin dorë nga regjistrimi aktual dhe të rikthehen në garë për raundin e dytë të aplikimeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit