Pasi vodhi 10 mijë m² tokë në bregdet, Jorgo Goro fiton lirinë pas vetëm 17 muajsh burg

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.08.2025, 18:59

Në Shqipëri drejtësia ka shpikur një matematikë të re: 10 mijë metra katrorë tokë bregdetare vlejnë vetëm 17 muaj burg. Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, doli i lirë më 12 gusht, ndonëse ishte dënuar me 2 vite e 20 ditë për tjetërsimin e tokave në Gjilekë.

Me “bonuset” që jep gjykimi i shkurtuar dhe llogaritjen bujare të paraburgimit, dënimi u shkri si akullorja nën diellin e Dhërmiut. Nga 3 vite e 1 muaj që i takonin fillimisht, u ul në vetëm 2 vite e 20 ditë, prej të cilave Goro vuajti realisht vetëm 17 muaj. Me këtë ritëm, me çdo muaj burg, ish-kryebashkiaku ka “paguar” për 588 metra katrorë tokë.

Prokuroria kujton se Goro nuk kishte bërë një lapsus administrativ, por kishte firmosur dokumente të falsifikuara që kalonin tokën nga shteti tek Stavri Mëhilli, një i shpallur në kërkim, e më pas në duart e një kompanie private të lidhur me ish-deputetin Artan Gaçi. Gjykata i konfiskoi edhe një apartament të fshehur në emër të biznesmenit Gentian Sula, por kjo nuk e pengon sot të shijojë lirinë, ndërsa një dosje tjetër për tokë në Livadh e pret në Apel – sërish pa masë sigurie.

Në vende normale, një kryebashkiak i kapur me 10 mijë m² tokë të vjedhur do të ishte “shembull ndëshkimi”. Në Shqipëri, thjesht bëhet shembull i faktit se sa pak kushton burgu kur je i fortë: më lirë se një prenotim veror buzë detit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit