Denisi denoncon ‘Zgatar AL’: Bleva 6 100 euro aparat, doli i prishur ata nuk e ndërrojnë

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 29.08.2025, 17:25

Denis Morina, një i ri nga qyteti i Kukësit i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar se si u mashtrua me blerjen e një aparati fotografik online.

Ai bleu online te dyqani “Zatar.al” një aparat “Canon” që kushtonte 6 100 euro, të cilin e përdori vetëm për disa foto dhe asgjë më shumë. Kjo pasi aparati kishte disa pika në pjesën e lentes që nuk e lejonin të punonte.

Denisi tregon gjatë intervistës se aparatin e bleu me anë të një granti mbështetës, pasi shuma ishte goxha e madhe për një fotograf, dhe duke qenë se i doli i prishur, kjo ishte një humbje për të.

I riu kërkoi disa herë ndërrimin e aparatit, por dyqani sipas tij nuk e ka marrë përsipër një gjë të tillë.

Është një defet që dyqani nuk e ka marrë përsipër as që ta rregullojë dhe as që ta ndërrojë aparatin. Kam folur me dyqanin, më thanë do ta rregullojmë dhe në një farë mënyre ua lashë në dorë atij. Pastaj prit e prit nuk u zgjidh si problem dhe i shkruajta “Canon Albania”, përfaqësuesve për Shqipërinë, ata deklaruan se numri serial nuk është origjinal por fals. Aparatin e kam blerë 6 100 euro. Servisi konfirmoi se pikat janë prezentë, por zgjidhje nuk mora. E kam dhe fletën e garancisë për dy vite, por dyqani nuk mban asnjë përgjegjësi,” thotë Denisi.

Pas intervistës, redaksia jonë kërkoi një reagim nga “Zgatar.al”, dhe përgjigja që morëm ishte se dyqani i është përmbajtur 100% kontratës, duke e dërguar aparatin pranë serviseve të autorizuara të “Canon”, por vendimi për të mbuluar apo jo shpenzimet e servisit, i takon kompanisë prodhuese.

Detyrimi ynë si shitës është përmbushur plotësisht! Menjëherë pas paraqitjes së ankesës nga klienti, ne e kemi pranuar aparatin dhe e kemi dërguar pranë servisit të autorizuar të Canon në Evropë, duke përmbushur detyrimin tonë ligjor dhe kontraktual si shitës dhe pa asnjë kosto për klientin. Vendimi mbi mbulimin ose jo të dëmtimit është marrë nga vetë Canon, pasi ata janë të vetmit që mund të përcaktojnë nëse një dëmtim është i mbuluar nga garancia. Në këtë rast, servisi ka konstatuar dëmtim fizik të shkaktuar nga përdoruesi, i cili nuk mbulohet nga garancia standarde,” thuhet në reagim.

Denisi humbi një shumë të konsiderueshme parash me këtë investim, prandaj këshillon të gjithë personat që kanë dëshirë të blenë një aparat fotografik online, të sigurohen mirë dhe të bëjnë blerje në faqe të besuara jashtë vendit.

Qytetarët të kenë kujdes kur blejnë aparatë online, ose të marrin jashtë Shqipërisë nëse kanë mundësi,” thotë ai.

Më poshtë reagimi i plotë i Zagatar.al:

Të nderuar redaksi e JOQ Albania,

Faleminderit që na kontaktuat dhe që na dhatë mundësinë të sqarojmë publikisht këtë çështje.

Së pari, dëshirojmë të theksojmë se kompania jonë është Canon Pro Partner për Shqipëri dhe Kosovë, e autorizuar nga vetë prodhuesi Canon për shitjen dhe mbështetjen e produkteve origjinale, me dokumentacion dhe garanci zyrtare sipas standardeve evropiane.

Në lidhje me rastin e klientit Denis Morina:

Origjinaliteti i produktit

Konfirmojmë zyrtarisht se aparati fotografik Canon EOS R3 i shitur klientit është një produkt plotësisht origjinal, i pajisur me faturë tatimore, fletëgaranci zyrtare dhe certifikatë CE të Canon. Ne nuk shesim dhe as nuk kemi shitur ndonjëherë produkte jo-origjinale.

Detyrimi ynë si shitës është përmbushur plotësisht

Menjëherë pas paraqitjes së ankesës nga klienti, ne e kemi pranuar aparatin dhe e kemi dërguar pranë servisit të autorizuar të Canon në Evropë, duke përmbushur detyrimin tonë ligjor dhe kontraktual si shitës dhe pa asnjë kosto për klientin. Vendimi mbi mbulimin ose jo të dëmtimit është marrë nga vetë Canon, pasi ata janë të vetmit që mund të përcaktojnë nëse një dëmtim është i mbuluar nga garancia. Në këtë rast, servisi ka konstatuar dëmtim fizik të shkaktuar nga përdoruesi, i cili nuk mbulohet nga garancia standarde.

Ankesat e klientit janë me Canon, jo me ne

Klienti ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Canon gjatë gjithë procesit, madje duke i kërcënuar ata me “prishje imazhi”. Ne si kompani kemi vepruar me korrektësi dhe transparencë, duke ndërmjetësuar procesin me servisin e Canon dhe duke e përmbushur detyrimin tonë ndaj klientit. Vendimi për të mos mbuluar riparimin falas nuk është marrë nga ne, por nga servisi zyrtar i Canon në bazë të ekspertizës teknike të tyre.

Denoncimi në polici

Gjithashtu, dëshirojmë të sqarojmë se klienti ka bërë edhe një denoncim pranë policisë së Kukësit, duke pretenduar se ne nuk kemi pranuar ta marrim në dorëzim produktin. Edhe në këtë rast, ne kemi paraqitur provat përkatëse në polici (përfshirë komunikimet e dokumentuara), ku vërtetohet se në fillim klienti nuk ka pranuar ta dorëzojë pajisjen për kontroll, duke kërkuar menjëherë zëvendësim me një të re. Vetëm disa javë më vonë, pas depozitimit të deklaratës sonë, klienti e dorëzoi pajisjen, dhe ne e dërguam menjëherë në servis sipas procedurave standarde, pa asnjë kosto për të.

Oferta jonë për zgjidhje edhe pas gjithë procesit

Pavarësisht vendimit të Canon, me qëllim që të ruanim marrëdhënien korrekte me klientin, inxhinieri ynë Gafurr Plakolli e ka kontaktuar personalisht Denisin dhe i ka ofruar një zgjidhje kompromisi: të sillte sërish kamerën dhe kompania jonë do të mbulonte vetë koston e riparimit, pa e ngarkuar atë financiarisht. Klienti u përgjigj se ndodhej në bjeshkët e Rugovës dhe se do të na kontaktonte sapo të kthehej në qytet. Që nga ajo kohë, ai nuk është përgjigjur më, duke përforcuar bindjen tonë se qëllimi i tij nuk ishte zgjidhja e problemit të kamerës, por të përfitonte një zëvendësim me modelin më të ri EOS R1, siç ka pretenduar vazhdimisht.

Për të gjitha këto arsye, është e rëndësishme të kuptohet se ne kemi përmbushur çdo detyrim që na takon si shitës, duke respektuar të gjitha të drejtat e klientit. Ankesat dhe pretendimet e tij janë drejtuar kundër Canon dhe vendimit të tyre teknik, jo ndaj kompanisë sonë.

Nëse ju nevojiten dokumente mbështetëse (fatura, garancia, raporti i servisit, komunikimet e email-it dhe ËhatsApp, deklaratat në polici), jemi të gatshëm t’ua vëmë në dispozicion.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe mbetemi në dispozicion për çdo sqarim të mëtejshëm.

Me respekt, Zgatar Electronics

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit