Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë sonë një ngjarje skandaloze, e cila shënon një tjetër shembull të abuzimit të hapur me pushtetin dhe privilegjin në Shqipëri. Në një video të dërguar nga vendngjarja, shihet qartë një automjet i cili ka vendosur mbi xhamin e përparmë një tabelë identifikuese “Ministria e Drejtësisë”, për të përdorur këtë shenjë si “mburojë” për të bllokuar komplet rrugën te Pazari i Ri.
Ky akt nuk është thjesht një shkelje e rregullave të qarkullimit. Ai është pasqyrë e një fenomeni shumë më të thellë dhe të shëmtuar, arrogancës së institucioneve shtetërore dhe të gjithë zinxhirit që i mban në këmbë. Nga Ministria e Drejtësisë që toleron përdorimin e simboleve të saj, deri te policia që duhej të ishte aty për të zhbllokuar menjëherë rrugën dhe të ndëshkonte autorin, hallkat e përgjegjësisë janë të shumta dhe heshtja e tyre është po aq e rëndë sa vetë abuzimi.
Teksa qytetarët e zakonshëm gjobiten për parakalim të thjeshtë apo për parkim të gabuar apo dhe shoqërohen me forcë nga Policia e Ilir Prodës në rast parkimi dysh, “të privilegjuarit” që mbajnë në xham një tabelë me stemën e shtetit, e shohin veten mbi ligjin. Ky është realiteti që ka prodhuar një shtet ku drejtësia duket si pronë private e atyre që veshin petkun e pushtetit.
Pyetja që ngrihet është e thjeshtë: Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë? Ministria e Drejtësisë, Policia e Shtetit, apo ndoshta të gjithë së bashku që e kanë kthyer ligjin në një letër pa vlerë përballë arrogancës së zyrtarëve?