Një qytetar ka ngritur alarmin për një situatë skandaloze që po përsëritet prej kohësh në një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit, shëtitoren e Shkëmbit të Kavajës. Ujërat e zeza kanë pushtuar hapësirat publike, duke krijuar jo vetëm një panoramë të shëmtuar, por edhe një rrezik serioz për shëndetin e banorëve dhe pushuesve.
Pamjet që vijnë nga vendngjarja tregojnë qartë pellgjet e ujërave të ndotura që dalin nga kanalizimet e amortizuara e përfundojnë në shëtitore, duke u kthyer në burim infeksionesh dhe erash të padurueshme. Në mesazhin e dërguar qytetari shprehet se kur i drejtohen UKD-së marrin prej tyre një përgjigje tejet absurde.
Në një kohë kur Durrësi synon të prezantohet si destinacion modern turistik, realiteti i Shkëmbit të Kavajës tregon të kundërtën mungesë investimesh në infrastrukturë bazike dhe neglizhencë totale nga institucionet përgjegjëse. Deri atëherë, qytetarët dhe turistët mbeten të detyruar të kalojnë mbi “lumin” e ujërave të zeza, duke parë çdo ditë sesi shëtitorja e tyre kthehet në simbol të dështimit të pushtetit vendor.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje, Ja si i “presin” turistët elitarë, me shërbim “elit” të UKD-së. Këto pamje janë nga Shkëmbi i Kavajës, ku situata po na shkatërron biznesin. Dhe kur i merr në telefon UKD (Ujësjellës-Kanalizime Durrës), të thonë: “Ne jemi deri në orën 4 për kanalizimet, pastaj merremi vetëm me ujin e pijshëm”. Në fakt, as me ujin e pijshëm nuk kemi 24 orë furnizim!